Deputeti i PD, Ervin Salianji do të paraqitet këtë pasdite pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, në rrugën “Myslym Shyri”, një ditë pas vendimit të Gjykatës së Apelit që e dënoi atë me 1 vit burg.

BalkanWeb mëson se Salianji do të shkojë në ambientet e Policisë në orën 16:45 të kësaj të premte.

Nga ana tjetër, mbështetësit e PD kanë njoftuar organizimin e një proteste para Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Një mesazh i shpërndarë në telefonat e mbështetësve të PD i fton të mblidhen para ambienteve të Policisë në orën 17.00.

“Përshëndetje, të nderuar miq, ju bëj me dije këtë lajm urgjent. Ditën e sotme, në orën 17.00 të mblidhemi para Drejtorisë së Policisë( tek Myslym Shyri) në mbrojtje të deputetit Ervin Salianji. Goditja që i bëhet Salianit është goditje që i bëhet të gjithë qytetarëve të këtij vendi. Mirë u takofshim”, thuhet në mesazhin e mbërritur në telefonat e mbështetësve të opozitës.

Opozita akuzon se Gjykata e Apelit mori një vendim të imponuar nga mazhoranca dhe kryeministri Edi Rama. Për PD-në, dënimi i Salianjit është “shpallje lufte”.

Sot opozita njoftoi përmes kryetarit të grupit parlamentar demokrat, ndërprerjen e marrëdhënieve institucionale me mazhorancën në Kuvendin e Shqipërisë.

Deputeti i PD, Ervin Salianji u dënua dje, e enjte 26 shtator, me 1 vit burg për kallëzim të rremë ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj. Prej vitit 2018 kur u denoncua publikisht audiopërgjimi për Agron Xhafajn, janë zhvilluar mbi 50 seanca gjyqësore, në harkun e 6 viteve.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb