Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, i cili qëndron për vizitë zyrtare në Maqedoninë e Veriut, në konferencën e përbashkët për media me homologun e tij maqedonas, Hristijan Mickoski, ka deklaruar se Ballkani Perëndimor meriton shumë më shumë nga ajo që ka marrë nga Brukseli, veçanërisht Maqedonia e Veriut ndaj së cilës, sipas tij, Brukseli ka bërë “gabim historik”, raporton Anadolu.
Gjatë ditës së djeshme, mediat lokale raportuan se sipas një vendimi të ambasadorëve të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian (BE), rruga drejt anëtarësimit të Shqipërisë në bllokun evropian “do të shkëputet” nga ajo e Maqedonisë së Veriut, me grupet e para të negociatave që do të hapen zyrtarisht më 15 tetor.
Rruga e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE nisi bashkërisht me hapjen e negociatave zyrtare në verën e vitit 2022, por si pasojë e mosmarrëveshjeve të Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është ndikuar edhe progresi i Shqipërisë.
Në konferencën për media në Ohër, kryeministri hungarez theksoi se mbrojtja e interesave dhe idealeve kombëtare është shumë e rëndësishme. Ai tha se për një popull është “shumë e rëndësishme që të mbrohet krenaria kombëtare”.
Meqenëse Hungaria aktualisht është kryesuese e BE-së, theksoi Orban, në takimet në Ohër tema më e rëndësishme që dëgjohej ishte rrugëtimi i Maqedonisë së Veriut në BE. Sipas tij, me rëndësi është që Ballkani Perëndimor, përfshirë Maqedoninë e Veriut, të ketë stabilitet dhe të anëtarësohet në BE.
Më tej, ai përmendi faktin e përshpejtimit të negociatave për anëtarësim në BE për Ukrainën dhe Moldavinë, duke theksuar se nuk duhet të lihen anash edhe vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Ne duhet të kemi para nesh faktorët gjeopolitik dhe duhet të respektojmë atë që shtetet, të cilat ndër vite punojnë për t’u anëtarësuar në BE, janë vendosur në planin e dytë. Kjo nuk është e ndershme nga ana e jonë dhe ne si kryesues të BE-së konsiderojmë se është shumë me rëndësi të mbahet në rend të ditës anëtarësimi i Ballkanit Perëndimor në BE”, tha Orban.
“Popujt e vendeve të Ballkanit Perëndimor meritojnë shumë më shumë nga ajo që kanë marrë deri më tani nga Brukseli. Dua të them se këto shtete shumë më parë është dashur të jenë anëtare të BE-së”, shtoi ai.
Kryeministri hungarez gjithashtu përmendi se Maqedonia e Veriut është kandidate për anëtarësim në BE që nga viti 2005 së bashku me Kroacinë, kur edhe në vitin 2008 mori vlerësim pozitiv.
“Që atëherë Kroacia është anëtare e BE-së, ndërsa me Maqedoninë e Veriut nuk kanë filluar as edhe negociatat dhe kjo është një gabim shumë i madh nga ana e BE-së të cilin do ta karakterizoja si gabim historik. Ky gabim mundet të vendoset në katror pasi Maqedonia e Veriut do të jetë pas Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit. Dhe, nuk shoh ndonjë arsye për këtë, por kjo do të jetë një sfidë e madhe për këtë qeveri që të luftojë me këtë gjë jo të mirë”, deklaroi Orban.
Lidhur me mosmarrëveshjen midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Orban tha se ai i ka kaluar një propozim Mickoskit dhe se nëse palët janë të gatshme Hungaria mund të jetë ndërmjetëse për të gjetur një zgjidhje që u “përshtatet” të dy vendeve fqinje.
Lidhur me ndarjen e rrugëtimit të anëtarësimit evropian të Shkupit nga Tirana, kryeministri hungarez tha se “është e vështirë ta kuptosh këtë nga një komb që po mashtrohet vazhdimisht”.