Ervin Salianji, deputet i PD-së, u vetëdorëzua pasditen e sotme në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ndërsa më pas u transferua drejt burgut të Fierit për të vuajtur dënimin me 1 vit heqje lirie, bazuar në vendimin e Gjykatës së Apelit.
Dënimi i Salianjit duket se do të rikthejë tensionet në sallën e Kuvendit, por edhe aksionin opozitar në rrugë, ndërsa drejtuesit e PD-së kanë paralajmëruar një ndërprerje të marrëdhënieve institucionale me mazhorancën dhe përshkallëzim të protestave.
Protesta e parë është vendosur në 6 tetor, por ende nuk dihen detajet, çfarë do të jetë ndryshe nga protestat e mëparshme të opozitës.
PD ka akuzuar Kryeministrin Edi Rama si urdhëruesin e vendimit që dënon Salianjin, duke e cilësuar një vendim politik i dhënë për hakmarrje politike ndaj deputetit që ka denoncuar lidhjet e Qeverinë me krimin e organizuar.
Pak javë më parë, Salianji drejtonte Komisionin Hetimor për TIMS, dhe vetë deputeti paralajmëroi se kjo mund të ishte një nga arsyet sepse Edi Rama zotohej nga salla e Kuvendit për burgosjen e ligjvënësit demokrat.
E ndërsa Salianji ishte duke udhëtuar nga Tirana në drejtim të Fierit, Edi Rama zgjodhi të reagojë në “X” me një postim që është pasuar me një reagim të Kreut të Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi.
Në postimin e tij Rama shkruan se viktimizimi i një të dënuari për një vepër të turpshme, e cila mund të konsiderohet kryevepra e turpit të Mbretërisë së Shpifarakëve – sepse nuk ishte thjesht një shpifje si miliona shpifjet që janë thënë e shkruar në këto 34 vjet Liri Shpifjeje, po ishte një fabrikim i tërë, një film i Kinostudios së Shqupit me aktorë e me producentë të përkushtuar për të bërë keq – tregon se sa poshtë ka rënë niveli i kuptimit të botës sonë mediatike për peshën e rëndë të shpifjes në jetën e një shoqërie.
“Ideja se një politikan mund të shpifi lirisht në emër të popullit që e ka zgjedhur, ndërsa kush lufton me shpifësit ligjërisht apo e thotë hapur si puna ime, se dënimi i një shpifësi është një lajm i mirë për lirinë e për demokracinë, nuk qenka tjetër përpos një shtypës i fjalës së lirë e i opozitarizmit, është një ide që ka marrë zë të lartë prej mbrëmë, pikërisht sepse shpifësit e të gjitha foltoreve e banaqeve ndjehen të kërcënuar në lirinë e tyre për të sakatuar me shpifje publikisht, këdo që nuk e mundin dot politikisht me fakte e me argumenta”, shkruan Rama.
Dhe në vijim, Kryeministri shprehet se heroin e saj të ri, Mbretëria e Shpifarakëve, mund ta ngjisë edhe krah për krah Penxheres së Katit të Tetë në gjoksin e bluzave qesharake të luftës kundër Drejtësisë, sepse kësisoj jo vetëm do të ritregojë se sa larg realitetit të shqiptarëve është, po edhe do ta meritojë akoma më shumë vendimin e hidhur të Gjykatës Sovrane të Popullit në zgjedhjet e afërta politike.
Pak minuta pas postimit të Kryeministrit ka reaguar Gazment Bardhi.
Bardhi shkruan se halli i Edi Ramës është Olsi dhe jo drejtësia. “Fushata e egër e Edi Ramës për dënimin politik të Ervin Salianjit nga disa gjyqtarë hallexhinj s’ka të bëjë me drejtësinë. Ai po bën çfarë mundet për të ndikuar në hetimin e vëllait të tij dhe për të penguar të vërtetën e përfshirjes së Olsi Ramës me trafikantët ndërkomëbtarë të kokainës në Xibrakë”, shkruan Bardhi.
“Olsi Rama është halli i Edi Ramës, jo drejtësia; njëlloj siç Geroni ishte halli i Fatmir Xhafajt, dhe jo drejtësia!
Ervin Salianji nuk e ka sajuar që vëllai i Ministrit të Brendshëm të Edi Ramës ishte një trafikant i dënuar droge në Itali dhe qendronte i qetë në Shqipëri, pa kryer dënimin, nën mbrojtjen politike të qeverisë së Edi Ramës. Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama?
Ervin Salianji u bë zëri publik i një denoncimi të ardhur në Partinë Demokratike se vëllai trafikant i Ministrit të Brendshëm të Edi Ramës vazhdonte i qetë aktivitetin e paligjshëm të trafikut të drogës. Cili institucion e hetoi që kjo nuk është e vërtetë? Policia e Shtetit vartëse e Ministrit me vëllain trafikant? Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama?
Pse nuk iu morën mostrat e zërit vëllait të MInistrit të Brendshëm, por u nis paketë postale për të bërë burgun në Itali? Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama?
Përpara se të na tregojë përrallat e vjetëruara me drejtësi të pavarur, Edi Rama duhet të na thotë edhe diçka tjetër. Çfarë bënte vëllai i tij me makinën që përdornin trafikantët e drogës së Xibrakës në të njëjtën kohë kur ngrihej laboratori i drogës dhe kishte nisur përpunimi i kokainës në Xibrakë? Ka diçka për të thënë për këtë Edi Rama?”, shkruan Bardhi.