Abu Muhammad është njëri ndër dy personat e vetëm që ende jetojnë në një ndërtesë 12-katëshe banimi në qytetin jugor Sur, në Liban.

Shumica e 200.000 banorëve të qytetit kanë ikur, që kur Izraeli nisi sulme shkatërruese ajrore në Liban, më 23 shtator.

“Këtu s’ka më jetë”, thotë Muhammad, i cili është mirëmbajtës i ndërtesës. “Të gjithë kanë shkuar. Pothuajse të gjitha dyqanet janë mbyllur”.

Sulmet e vazhdueshme ajrore të Izraelit, që kanë në shënjestër Hezbollahun – grupin e armatosur dhe partinë politike të mbështetur nga Irani që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor – po shkaktojnë pasoja të mëdha mes civilëve. Më shumë se 700 njerëz janë vrarë dhe mbi 100.000 janë zhvendosur.

Ndërkohë, lëshimi i raketave nga Hezbollahu drejt Izraelit ka detyruar largimin e mijëra personave përgjatë kufirit. Hezbollahu konsiderohet organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara, ndonëse Bashkimi Evropian ka futur në listë të zezë vetëm krahun e armatosur të tij.

Qindra njerëz janë vrarë nga bombardimet intensive në dhe përreth Surit – qyteti i katërt më i madh i Libanit dhe një prej objektivave të fushatës ajrore Izraelite – thonë banorët.

“Kur një sulm ajror përfundon këtu pranë, unë vrapoj drejt një spitali të afërt për strehim”, thotë Muhammad. “Ose bëj rojë pranë hyrjes së ndërtesës, në mënyrë që askush të mund të mos futet për të grabitur”.

Muhammed, në të 50-tat, thotë se ka mungesë të madhe të karburanteve në qytet, ndërsa energji elektrike ka vetëm disa orë në mbrëmje. Çmimet e gjërave elementare janë rritur tej mase, thotë ai, ndërsa shumë njerëz që kanë mbetur në qytet varen nga furnizimet e tyre emergjente ushqimore.

Vetëm ushtima e bombardimeve dhe zhurma e aeroplanëve luftarakë izraelitë thyejnë heshtjen e frikshme që ka kapluar Surin, një qytet bregdetar përgjatë Detit Mesdhe, i cili është i popullarizuar në mesin e turistëve, thotë ai.

Muhammad është vendosur në Sur, pas shpërthimit të luftës civile në Sirinë fqinje, më 2021. Ai i ka kthyer bashkëshorten dhe tre fëmijët e tij në Siri disa muaj më parë.

Por, Muhammad thotë se do të vazhdojë të qëndrojë në Sur, me gjithë rreziqet, teksa dhjetëra mijëra njerëz po përpiqen me ngulm të ikin nga Libani jugor drejt sigurisë relative në Bejrut dhe në Libanin verior.

“Unë tashmë jam refugjat”, thotë ai. “Ku të shkoj? S’kam as mundësi për t’u larguar”.

Një biletë autobusi nga Suri drejt kryeqytetit, Bejrutit, zakonisht kushton rreth 3 dollarë amerikanë. Tani, thotë ai, kompanitë e udhëtimeve kërkojnë 100 dollarë për person. Një taksi kushton të paktën 300 dollarë, thotë ai.

Përshkallëzimi i konfliktit

Sulmet ajrore izraelite në Liban janë më të përgjakshmet që nga lufta Izrael-Hezbollah më 2006.

Dy armiqtë kanë shkëmbyer sulme të vazhdueshme ndërkufitare, prej kur Izrael nisi luftën e tij shkatërrimtare në Rripin e Gazës, në tetorin e 2023-tës, pas një sulmi të paprecedentë ndaj Izraelit nga Hamasi, grup palestinez i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe BE-ja. Hezbollahu ka lëshuar raketa në drejtim të Izraelit, në solidarizim me palestinezët.

Izraeli ka intensifikuar sulmet e tij kundër Hezbollahut javëve të fundit. Më 17-18 shtator, sulme të dyshuara izraelite kundër pajisjeve elektronike që përdoren nga anëtarë të grupit të armatosur vranë dhjetëra persona dhe plagosën mijëra të tjerë.

Vetëm pak ditë më vonë, Izraeli nisi atë që disa e kanë përshkruar si një prej bombardimeve më intensive në luftëra moderne, duke goditur mijëra objektiva në Libanin jugor dhe në Bejrut.

Zyrtarët izraelitë ditëve të fundit kanë sugjeruar se vendi i tyre po përgatitet për një pushtim tokësor të Libanit, pavarësisht përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për të siguruar një armëpushim ndërmjet Izraelit dhe Hezbollahut.

“S’mund të kthehemi”

Teksa konflikti mes Izraelit dhe Hezbollahut po përshkallëzohet, libanezë dhe izraelitë të zakonshëm po pësojnë më së shumti nga dhuna.

Salah, një akademik, ka ikur nga qyteza e Abazijes, afër Surit, me bashkëshorten dhe djalin e tij, pasi shtëpia e fqinjit të tyre u rrafshua nga një sulm ajror izraelit.

“Teksa po largohesha me veturë nga qyteza, raketat binin afër nesh”, thotë ai. “Pashë një ndërtesë banimi duke u shembur pas nesh”.

Rrugëtimi drejt Bejrutit zakonisht zgjat rreth një orë. Por, familja e Salahut bëri gati 30 orë rrugë, mes tollovisë së madhe të shkaktuar nga mijëra vetura në autostradën kryesore të vendit.

“Ishte kaos”, thotë Salah. “Pashë gra duke lindur skaj rrugës. Disa automjete që kishin mbetur pa karburant ishin braktisur. Në disa vetura ishin ngushtuar deri në 10 njerëz. Kishte njerëz mbi vetura apo në bagazh”.

Salah dhe familja e tij po qëndrojnë, me dy familje të tjera, në një banesë të vogël në Bejrut, i cili po ashtu ka qenë në shënjestër të sulmeve izraelite. Ai nuk e di se kur do të mund të kthehet në shtëpi.

“Gjëja më e keqe është se s’mund të kthehemi”, thotë ai. “Nëse ndonjëri nga të afërmit tanë vritet atje, ne s’mund ta varrosim. Qyteza është boshatisur dhe kufomat kanë mbetur mes rrënojave. Nuk ka njeri që t’i varrosë”.

Ndonëse shumë njerëz po ikin nga Suri dhe qytezat e afërta, disa banorë nuk munden ose nuk janë të gatshëm të largohen.

Në mesin e tyre është edhe Muhammad, një refugjat palestinez, prindërit e të cilit janë zhvendosur në Liban dekada më parë.

“Sulmet në Sur kanë qenë intensive”, thotë ai. “Shumë njerëz janë vrarë ose janë plagosur. Ka bombardime përreth nesh. Ka zhurmë të vazhdueshme aeroplanësh që po fluturojnë mbi qytet”.

Pavarësisht rrezikut të madh, Muhammad është i vendosur se ai dhe familja e tij nuk do të largohen.

“Nëse vdesim, më mirë të vdesim në shtëpinë tonë”, thotë babai i tre fëmijëve. “Kurdo që dëgjojmë një sulm ajror, vrapojmë drejt bodrumit. I shtrëngojmë duart dhe lutemi”./REL

 

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb