Ushtria izraelite pretendon se ka eliminuar gjatë sulmeve me raketa në kryeqytetin e Libanit, Bejrut, liderin e Hezbollahut, Hassan Nasrallah. Mësohet se Nasrallah fshihej në një prej godinave të shenjëstruara nga ushtria izraelite ditët e fundit me intensifikimin e sulmeve ajrore. Në një postim në rrjetin social X forcat izraelite kanë deklaruar se “Hassan Nasrallah nuk do të jetë më në gjendje të terrorizojë botën”. Një postim i cili ngre dyshime për fatet e liderit të Hezbollahut.
Ushtria izraelite më pas tha se ka kryer sulme të mëtejme ndaj Hezbollahut, pas sulmeve fillestare në selinë e grupit, duke shtuar se po vazhdon të “degradojë dhe shkatërrojë” aftësitë e Hezbollahut.
Hassan Nasrallah është një nga figurat më influencuese në Lindjen e Mesme. Ai nuk është parë në publik prej vitesh për shkak të frikës se mund të vritej nga Izraeli.
Një figurë e errët me lidhje të ngushta personale me Iranin, ai luajti një rol kyç në kthimin e Hezbollahut në forcën politike dhe ushtarake që është sot. Nën udhëheqjen e Nasrallah, Hezbollahu ka trajnuar luftëtarët nga grupi i armatosur palestinez Hamas, si dhe milicitë në Irak dhe Jemen, dhe ka marrë raketa nga Irani për t’u përdorur kundër Izraelit.
Hezbollahu numëron një forcë ushtarake të armatosur dhe të gatshme për luftë prej 100 mijë ushtarësh.
(BalkanWeb)