OKB-ja shprehu të premten “alarmin e madh” për zhvillimet në Bejrutin e Libanit pas bombardimeve të fundit të rënda izraelite.

“Ne po i shikojmë me alarm të madh zhvillimet në Bejrut,” u tha gazetarëve zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric gjatë një konference shtypi pasi ushtria izraelite të premten në mbrëmje kreu një sulm ajror të rëndë dhe të paprecedentë në zonën e periferisë jugore të Bejrutit.

Ai shprehu shqetësimin e thellë të OKB-së për “përshkallëzimin e mprehtë të armiqësive përgjatë vijës blu me goditjet në Liban”.

Duke theksuar se zhvillimet e fundit vënë në rrezik civilët libanezë dhe izraelitë, Dujarric tha se ato kërcënojnë gjithashtu sigurinë dhe stabilitetin rajonal.

“Mund t’ju them se misioni ynë paqeruajtës këtu, i njohur më mirë si Forca e Përkohshme e OKB-së në Liban (UNIFIL), vazhdon të angazhohet në mënyrë aktive me palët për të ndihmuar në zbutjen e tensioneve përgjatë Linjës Blu dhe për të shmangur keqkuptimet e mëtejshme,” shtoi ai.

Dujarric përsëriti mbështetjen e OKB-së për përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund dhunës, rivendosjen e stabilitetit dhe parandalimin e vuajtjeve të mëtejshme humanitare në rajon.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb