“Djajtë e kuq” përjetojnë “ferrin” brenda në “pallatin e ëndrra”. Tottenham Hotspur i shkaktoi një humbje të rëndë 3-0 duke vendosur në dyshim të fortë të ardhmen e Ten Hag, prej kohësh i përfunduar nën akuzë.

“Gjelat” i kapën “mat” që në zbritjen e parë në sulm, me Johnson që përfitoi nga një përgjumje totale e prapavijës së United, i vetëm në shtyllën e dytë e kishte të lehtë të dërgonte topin në rrjetë. Man.United reagoi, por ishin të pafat, teksa Garnacho me një goditje fluturimthi gjeti shtyllën pingule. Në momentin e tyre më të mirë, United mori një goditje të fortë pasi Bruno Fernandes u ndëshkua me karton të kuq në fundin e pjesës së parë.

Në fraksionin e dytë, United la shumë hapësira pas, në minutën e 47-të, Kulusevskli me shumë klas dyfishoi shifrat. Onana u përpoq të mbante United në lojë, e bëri diçka të tillë deri në minutën e 77-të kur Tottnham realizoi edhe golin e tretë duke mbyllur llogaritë me “djajtë e kuq”. Humbja e pësuar përballë Tottenham “zhyt” United në krizë duke i spostuar në vendin e 12-të.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Mediat angleze, të gjithë në sinkron i kushtuan faqen e parë krizës së United, por këtë herë të gjithë kërkojnë “kokën” e Ten Hag, madje edhe ish lojtarë të famshëm të United. Ndryshe nga opinioni Ten Hag sheh përpara. I pyetur mbi te ardhmen, holandezi nuk u shfaq i shqetësuar: “I thash djemve, nesër është një ditë e re. Duhet të mësojmë nga gabimet e kryera”, u shpreh ndër të tjera holandezi i cili ia faturojë këtë humbje kartonit të kuq të Fernandes.

Këto rezultate detyrojnë bordin drejtues të United të mblidhet për të vendosur mbi të ardhmen e Ten Hag. Sipas mediave në ishull dy janë emrat që mund të marrin vendin e tij, Southgate dhe Max Allegri. Me Southgate që kërkon pak më shumë kohë për të marrë veten pas largimit nga përfaqësuesja angleze, Allegri shihet si kandidati potencial për të shpëtuar sezonin e United.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb