Presidenti rus, Vladimir Putin, ka lëshuar një video-mesazh për të shënuar përvjetorin e dytë të asaj që Rusia e quan “Dita e Ribashkimit”, e që shënon dy vjet që nga koha kur Moska zyrtarisht pretendoi rajonet e Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson si të vetat.

Pasi mbajti referendume, të dënuara nga bota perëndimore si falsifikime, në të katër rajonet më 30 shtator 2022, Putini nënshkroi një dokument me udhëheqësit e instaluar nga Rusia të rajoneve të pushtuara, për t’i inkorporuar ato në mënyrë të njëanshme në Federatën Ruse, pavarësisht se Rusia nuk i kontrollon plotësisht territore, raporton The Guardian.

Që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Rusisë në shkurt të vitit 2022, Kievi ka rritur përpjekjet e tij për anëtarësim në NATO dhe BE, hapa që i konsideron si jetike për vetëmbrojtjen dhe pavarësinë e saj nga Rusia, por këto veprime kundërshtohen nga Moska.

Putini ka deklaruar kur filloi luftën se qëllimi i tij ishte të çmilitarizonte dhe “denazifikonte” Ukrainën – një deklaratë e hedhur poshtë nga Kievi dhe perëndimi si një pretekst për një konflikt ekspansioni të stilit perandorak.

“E vërteta është në anën tonë. Të gjitha objektivat e vendosura do të arrihen”, ka thënë Putini në video-mesazhin e tij të publikuar hënën.

Ai ka kritikuar më pas “elitat perëndimore” të cilat ai pretendon se “e kthyen Ukrainën në koloninë e tyre, një bazë ushtarake që synonte Rusinë” dhe që nxiste “urrejtje, nacionalizëm radikal … armiqësi ndaj gjithçkaje ruse”.

“Sot ne po luftojmë për një të ardhme të sigurt dhe të begatë për fëmijët dhe nipërit tanë”, ka shtuar presidenti rus.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: