Ministria e Brendshme i përcjell sot zyrtarisht emrin e propozuar nga ministri Ervin Hoxha lidhur me postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Gazetari i News24, Igli Çelmeta duke sqaruar procedurën tha se Kryeministrit i dërgohet raporti përfundimtar me 11 kandidatët, si dhe pikët që secili prej kandidatëve është vlerësuar.

Çelmeta tha se në raportin përfundimtar është edhe emri që ministri i Brendshëm i propozon Kryeministrit.

Po cili është kandidati më i favorizuar për tu emëruar si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit?

Gazetari Igli Çelmeta përmendi emrin e drejtorit të Policisë së Elbasanit, Ilir Proda, por gjithashtu si kandidatë potencial ai renditi edhe Drejtorin e Policisë Kriminale Neritan Nallbati, drejtorin e Policisë së Durrësit Skënder Hitaj dhe zv. drejtorin e Policisë së Lezhës, Altin Mema.

Çelmeta tha se një ditë më parë ka pasur një takim informal mes ministrit të Brendshëm dhe Kryeministrit ku mendohet se është diskutuar mbi emrin që do të propozohet për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: