Partizani nis të tregojë siguri në mbrojtje dhe të rrisë personalitetin e vet. Ndeshja kundër Egnatias ishte një hap i rëndësishëm i skuadrës së Veselinoviç në rrugën për të ndërtuar një skuadër të pathyeshme mbrapa dhe produktive në sulm.

Shifrat e dy ndeshjeve fundit dëshmojnë se gjithçka duket në rrugën e duhur sa i përket mbrojtjes. Partizani ia doli të mos pësojë asnjë gol në derbin me Tiranën, teksa të njëjtën gjë e përsëriti kundër Egnatias, së cilës i shënoi edhe dy gola.

Të kuqtë kanë një nga mbrojtjet më të reja të kampionatit, por lojtarët e këtij reparti po rriten me shpejtësi. Për tu veçuar është siguria që Sembene po fiton. Mbrojtës shumë i fortë në duele, por edhe guximtar në momente që ndonjëherë janë tejet të rrezikshme. Pas Maget, Partizani po rrit një tjetër “xhevahir” senegalez.

Sakaq, edhe Preka po fiton siguri dhe personalitet. Cilësitë shkodranit nuk i kanë munguar kurrë, por ka vuajtur dëmtimet e shpeshta dhe mungesën e minutave në raste të tjera. Bytyçi në ndeshjen e shkuar bëri shumë mirë si mbrojtës i majtë, rol jonatyral i tij, por i dha skuadrës besim, grintë dhe lidership. Markoi edhe një lojtar të shpejtë si Kasa. Partizani në këtë sezon ka pësuar vetëm 5 gola, duke qenë mbi rivalët direkt sa i përket këtij aspekti. Ardhja e Domgjonit pritet t’i japë më shumë pjekuri këtij reparti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb