Suksesi në derbi ka bërë me “krah” Milan, me kuqezinjtë që u rikthyen në garë në Serie A me dy fitore radhazi, por nga “djalli” kërkohet një tjetër provë force, këtë herë në Champions League pasi sfidojnë një rival “big” si Bayer Leverkusen. Në vigjilje të këtij takimi, në konferencë për shtyp, trajneri Fonseca është i qartë se çfarë ndeshje e pret:

“Do të jetë e ngjashme me Liverpool. Duhet t’i japim vazhdimësi kësaj që po bëjmë, nga pikëpamja defensive ekipi po rritet, por ky do të jetë një test i mirë. Për të mposhtur Leverkusen duhet të bëjmë një garë perfekte në aspektin defensivë”, u shpreh Fonseca duke bërë ndër të tjera dhe një koment të shkurtër në lidhje me gjendjen e sulmuesit kryesor, Alvaro Morata: “Ka bërë një sforco të madhe për të luajtur në ndeshjen e fundit. Është në dyshim, ne duhet ta menaxhojmë si duhet”, u shpreh Fonseca.

Në krah të trajnerit ishte edhe Leao: “Ndeshjet janë të vështira në Champions, por ne jemi Milan, është thelbësore të fitojmë”, u shpreh sulmuesi portugez.

Ndryshe nga Milan, Leverkusen kërkon fitoren e dytë në Champions, por trajneri Alonso flet me respekt për kuqezinjtë: “Milan është historia e futbollit, unë e ndjek prej shumë kohësh, edhe në të kaluarën, për më tepër që unë kam luajtur edhe dy finale Champions kundër tyre. Duhet një ndeshje perfekte nga ana jonë, duhet të jemi të përqendruar gjatë gjithë ndeshjes. Ne dëshirojmë të dominojmë ndeshjen, por duhet të jemi të kujdesshëm pasi Milan është një skuadër shumë e aftë në kundërsulme, ata kanë cilësi, kanë gjithçka, do të jetë një ndeshje e bukur, e fortë, si të gjithë ndeshjet në Champions”, u shpreh Alonso në konferencë për shtyp.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb