Barcelona kërkon të harrojë sa më parë humbjen e javës së fundit në La Liga ndaj Osasunës, si dhe të gjejë fitoren e pare në Champions, pas humbjes në Principatë ndaj Monaco në sfidën e pare. Për këtë duket se “blaugranave” u vjen në ndihmë edhe kalendari, teksa në Katalonjë të martën në mbrëmje vjen ekipi kampion i Zvicrës, Young Boys.

Ekipi zviceran këtë sezon po vuan një krizë të thellë rezultatesh, teksa në kampionat pas 8 javësh ndodhet në vendin e parafundit me vetëm 6 pikë. Ndaj do të jetë një rast i mirë ky për skuadrën e Hansi Flick, e cila do të kërkojë me patjetër 3 pikët e para në këtë sezon të Championsit.

Pikërisht për këto arsye sipas mediave iberike, gjermani pritet të aktivizojë ndaj zviceranëve formacionin më të mirë të mundshëm. Mungesat e vetme janë ato të Ter Stegenit të dëmtuar që praktikisht ka mbyllur sezonin, si dhe e Eric Garcia, i ndëshkuar me karton të kuq në sfidën ndaj Monaco. Ndërkohë pritet me padurim rikthimi I mesfushorit holandez De Jong pas një dëmtimi që e mbajti larg fushës për afro 5 muaj, me teknikun e Barçës që theksoi se mund të aktivizohet disa minuta në pjesën e dytë. Lidhur me situatën e ekipit dhe sfidën ndaj Young Boys, Hansi Flick u shpreh:

“Do të aktivizojmë lojtarët më në formë që kemi, duhet të fitojmë me patjetër sfidën ndaj Young Boys, pasi na duhet të rikthehemi tek fitorja pas sfidës ndaj Osasunës. Jam i lumtur për rikthimin e De Jong, edhe qoftë për 10 minuta nëse do të jetë mundësia ai do të luaj”, u shpreh Hansi Flick.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: