Deputeti socialist Petro Koçi, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 me gazetaren Nisida Tufa, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me atë që ndodhi ditën e djeshme në Kuvend, ku pati një përplasje mes tij e Sekretarit të përgjithshëm të PD, Flamur Noka.

Koçi i quajti veprimet e djeshme, ordinere, ndërsa shtoi se ajo që po ndodh me opozitën nuk ka lidhje me konfirmimin e vendimit për dënimin e zotit Salianji, sepse sipas tij, togfjalëshi për mosbindje civile ka kohë që qarkullon. Ai tregoi edhe debatin e përplasjes me Koçin.

“Në asnjë çast nuk humba qetësinë, por kur ka tension, në fjalorin tim s’ka asnjëherë fjalë të papërshtatshme. Ndjehesha i fyer nga veprimet ordinere të kryera dje edhe ndaj meje. Erdhën të tjerët te unë. Më hoqën të drejtën e fjalës dhe kjo është shumë e rëndë.  Ishte duke thënë që po na provokoni. I kam thënë je ti që po më provokon mua. Tha na keni burgosur kolegun. I thash e keni burgosur vetë, nuk e kemi burgosur ne. Kaq ka qenë. Aty ka shumë tension dhe veprime të dhunshme… 

Ajo që po ndodh me opozitën nuk ka lidhje me konfirmimin e vendimit për dënimin e zotit Salianji sepse togfjalëshi për mosbindje civile ka kohë që dëgjohet, më kujton 14 shtatorin, vrasjen e Azem Hajdarit, kur shkruanin Shqipëria në luftë. Lëvizje politikisht vetëvrasëse e opozitës”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb