Nuk ka asnjë ditë pushim për lojtarët e Dinamos. Trajneri Ilir Daja kërkon të shfrytëzojë çdo ditë dhe më shumë akoma ndërprerjen e kampionatit pas ndeshjes me Laçin, pasi e ka bërë të qartë se janë disa gjëra për t’u rregulluar në skuadër.
Vëmendja aktualisht është e gjitha te ndeshja me Laçin, që luhet ditën e premte në “Elbasan Arena”. Është një mundësi e mirë për fitoren e radhës, por në kampin dinamovit e dinë shumë mirë se duhet t’ia bëjnë mirë shërbimin për të mos pasur firo pikësh.
Blutë kanë humbur mbrojtësin Rustem Hoxha për këtë ndeshje dhe për disa të tjera në vazhdim. Durrsaku u dëmtua kundër Vllaznisë dhe do kohë që të rikuperohet. Shpresat janë që të rikthehet kapiteni Bruno Dita, edhe pse mesfushori dje nuk u stërvit me grupin. Ai mungoi në ndeshjen e fundit për shkak dëmtimi, teksa gjendja e tij do të shihet ditë pas dite.
Pritet që Dita të jetë të paktën në stol dhe stafi me siguri nuk do të rrezikojë, nëse dëmtimi nuk kalon plotësisht. Dinamo ka alternativa dhe vendin e Hoxhës ka më shumë shanse ta marrë Rufati, kurse atë të Ditës, gjithmonë nëse nuk fiton garën me kohën, mund ta marrë sërish Toli.