GJKKO ndan nga çështja e ish-kryebashkiakut të Durrësit Vangjush Dako 5 të akuzuar duke ia kaluar dosjen e tyre për shqyrtim gjykatës së Durrësit.

Gazetari Igli Çelmeta raportoi për “BalkanWeb” se Gjykata e Posaçme shpalli moskompetencë për Ferzilet Hajdëri, Adnand Toçila, Diana Dedja, Bashkim Salillari dhe Hanza Reka, të cilët kërkuan gjykim të zakonshëm dhe të ndahej çështja nga Vangjush Dako.

Gjyqtarja Elsa Ulliri vendosi kalimin e dosjes në ngarkim të këtyre personave në Gjykatën e Durrësit, si gjykatë kompetente për të shqyrtuar çështjen ndaj tyre, të akuzuar për shpërdorim detyre.

Mbeten në GJKKO ish kryebashkiaku Vangjush Dako, Fiqiri Farruku, Fatmir Ejupi dhe Adrian Bulku.
Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako akuzohet se ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, në dy raste. Njëri rast, ka të bëjë me ndërtimin e një pallati në Durrës 11 vite më parë, i cili u shemb nga tërmeti në nëntor të vitit 2019 dhe rasti tjetër ka të bëjë me një tender për ndërtimin e një shëtitoreje në vitet 2014-2015, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej 18 milionë lekë.

Dako u arrestua në muajin qershor të vitit 2023 me urdhër të Prokurorisë së Posaçme dhe u la i lirë në shkurt të këtij viti, pasi SPAK nuk arriti të përfundojë hetimet e caktuara nga gjykata brenda afateve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: