Trupat ruse kanë marrë nën kontroll të plotë qytetin lindor ukrainas Vuhledar. Këtë qytet forcat ukrainase ishin duke e mbrojtur që nga fillimi i pushtimit rus dy vjet e gjysmë më parë, raporton “BBC”.
Komanda lindore e Ushtrisë së Ukrainës ka konfirmuar të mërkurën se u ka thënë trupave, që ende luftojnë në disa pjesë të Vuhledarit, të tërhiqen e ta evitojnë rrethimin.
Për më tepër se dy vjet Rusia ka tentuar ta marrë këtë qytet për të avancuar mëtutje në veri dhe të arrijë vendet e njohura të transportit rajonal si Kurakhove dhe Pokrovsk.
Blogerët pro Kremlin kanë postuar video ku shiheshin ushtarët rusë duke vendosur flamuj në çati të ndërtesave të ndryshme në Vuhledar.
Autoritetet rajonale të Donetskut kanë konfirmuar të martën se trupat ruse gati kanë arritur qendrën e qytetit dhe është raportuar se forcat ukrainase janë ende aktive në disa zona.
Dy ushtarë të brigadës 72 që është larguar nga qyteti para sulmit përfundimtar, kanë treguar se trupat janë tërhequr.