Deputetët e opozitës vazhdojnë të qëndrojnë në hyrjet e parlamentit për të penguar zhvillimin e një seance normale. Deputetët e PD-së kanë bllokuar 5 hyrjet e parlamentit për të penguar deputetët e PS-së të hyjnë në sallë.
Deputeti i PD-së Flamur Noka iu ka kërkuar kolegëve socialistë që të mos provokojnë opozitës. Ai tha se deputetët e opozitës kanë hipur mbi tavolina e kanë përdorur çdo lloj mënyre për të kundërshtuar maxhorancën, por asnjëherë nuk janë shpallur armiq.
Demokratët nuk lejuan të hynte as kryetarin e Grupit Parlamentar socialist, Niko Peleshi.
“Jeni duke provokuar opozitën. Asnjëherë nuk është shpallur opozita armike. Është hera e parë që shpallet armike. Ju lutem asnjë provokim për opozitën”, tha Noka teksa debatonte me deputetin e PS, Frrok Gjini.
“Ne jemi në betejë jetë a vdekje, ju betejë humori”, iu drejtua Noka deputetit Gjini.
Përplasje pati edhe mes Nokës e socialistit Paulin Sterkaj. Ky i fundit kërkoi nga demokratët të hapej rruga e bllokuar për në sallën e Kuvendit duke i thënë Nokës se po të jetë për muskuj, ata, socialistët “janë më të fortë”.
Deputetët e PD tentuan të bllokojnë edhe kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali. Automjeti i kryeparlamentares mbërriti në oborrin e Kuvendit dhe demokratët bllokuan dyert, por makina ishte bosh. Spiropali ishte futur në sallën e Kuvendit nga një hyrje tjetër.
Por pavarësisht nga protesta e deputetëve të opozitës, Kuvendi i Shqipërisë nisi punimet rreth orës 10.20 të cilat nuk zgjatën më shumë se 20 minuta.
SEANCA E KUVENDIT
(BalkanWeb)