Opozita i dha fund pas dy orësh protestës së saj jashtë dyerve të Kuvendit. Pavarësisht se tentuan që të paralizonin mbajtjen e seancës plenare duke bllokuar hyrjen e kolegëve të tyre socialistë në sallë, duket se nuk kanë pasur sukses. Për minuta të tëra opozita provoi të bllokonte hyrjen e socialistëve duke marrë në kontroll portën kryesore dhe ato anësore.

Nuk munguan as përplasjet e deputetëve të PD me efektivët e Gardës dhe kolegët socialistë. Spikatën debatet e Flamur Nokës dhe Gazment Bardhit me kryetarin e grupit parlamentar socialist, Niko Peleshi dhe deputetët Frrok Gjini e Paulin Sterkaj. Gjithashtu, deputetët e PD penguan ministrin e Financave, Petrit Malaj dhe atë të Jashtëm, Igli Hasani, të hynin në sallën e Kuvendit. Po ashtu u penguan edhe deputetët Florenc Spaho, Ornaldo Rakipi e Luljeta Bozo.

Protagonist i momenteve të tensionit u bë edhe deputeti tjetër demokrat, Bledjon Nallbati i cili dogji me cigare një efektiv të Gardës së Republikës.

Zjarri nuk mungoi as këtë të enjte. Të hënën deputetët e PD dogjën karriget, sot manekinët me fytyrën e kryeministrit Edi Rama dhe vëllait të tij Olsi, si dhe ish-ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj e vëllait, Agron Xhafaj.

Por tentativat e opozitës për të bllokuar hyrjen e deputetëve socialistë nuk zgjatën pafund.

Seanca e Kuvendit nisi punimet teksa opozita vijonte protestën jashtë Parlamentit. 71 deputetë të PS kanë qenë të pranishëm në sallë dhe janë futur nga hyrja e sigurisë, gjë që mundësoi kështu mbajtjen e seancës, pas arritjes së kuorumit.

Me nisjen e punimeve të seancës, deputetët e opozitës u panë të iknin nga oborri i Kuvendit. Teksa largohej, Gazment Bardhi paralajmëroi se opozita do të vijojë rezistencën e saj, ndërsa shtoi se të hënën e ka radhën Kryeministria, duke iu referuar protestës kombëtare. Opozita ka lajmëruar protestë para ndërtesës qeveritare, duke nisur nga ora 18.00 e ditës së hënë.

Seanca e Kuvendit nuk zgjati më shumë se 25 minuta, po aq sa edhe mbledhja e ditës së hënë ku u shënuan përplasje brenda sallës, ndërsa jashtë deputetët e opozitës dogjën karriget e tyre duke krijuar jashtë Parlamentit një skenë të paprecedentë me flakë dhe tym.

Në ato pak minuta seancë, Kuvendi miratoi një marrëveshje me Gjermaninë për përballimin e ndryshimeve klimatike. Ndërkohë dështoi zgjedhja e 2 anëtarëve nga Shoqëria Civile për KLGJ dhe KLP. Me vendim të kreut të Grupit Parlamentar socialist, Niko Peleshi u ndryshuan krerët e grupeve të miqësisë. Ilir Pendavinji zgjidhet si kryetar i grupit me Greqinë; Eslemvera Zake me Azerbajxhanin dhe Etjen Xhafaj kryetar i grupit të miqësisë me Katarin.

Sekretariati i Etikës mori masa të ashpra ndëshkimore për 24 deputetë të PD, duke dënuar me 2 muaj përjashtim Gazment Bardhin, Flamur Nokën dhe Bledjon Nallbatin, ndërsa 20 të tjerë me 40 ditë. Masa më e butë ishte ajo për Edi Palokën, vetëm 10 ditë jashtë punimeve të Parlamentit. Opozita iu rikthye skenave kaotike në Parlament pas burgosjes së Ervin Salianjit nga Gjykata e Apelit e cila la në fuqi dënimin me 1 vit heqje lirie për kallëzim të rremë ndaj Agron Xhafajt, vëllai i ish-ministrit Fatmir Xhafaj. Për opozitën, dënimi i deputetit demokrat u bë me urdhër të kryeministrit Edi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb