Me Gjimshitin në dyshim, ose në kushte jo perfekte, lajmi i mirë për Sylvinho-n është forma e shkëlqyer që po kalon Ardian Ismajli. Qendërmbrojtësi shfaqi të gjithë potencialin e tij në dy ndeshjet e para në Ligën e Kombeve, ku gjeti edhe golin, por mbi të gjitha po kthehet gjithnjë e më shumë në një lider për Empolin. Nëse ekipi toskan është në këto nivele këtë sezon, vendi i 6-të në Serie A, kjo është edhe për meritë të Ismajlit, fakt që e konfirmojnë edhe shifrat.
Në 6 ndeshje këtë sezon, Empoli ka pësuar vetëm 2 gola, mbrojtja e dytë më e mirë në Serie A, pas Juventus. Ismajli mbyll një shtator në mënyrë perfekte duke siguruar edhe një vend në formacionin më të mirë të muajit në Serie A.
Faqja e specializuar “WhoScored” ka publikuar të dhënat me Ismajlin që vlerësohet me notën 7,6 për këtë muaj, madje duke lënë pas edhe Bremer të Juves i cili vlerësohet me 7,4. Notën më të lartë, Ismajli e ka marrë në ndeshjen kundër Cagliari-t i vlerësuar me 8,32 pasi arriti të fitonte 12 duele në zonë. Në ndeshje thuajse perfekte zhvilloi edhe kundër Fiorentines me 10 duele të fituara.
Jo vetëm Ismajli, edhe Marash Kumbulla, qendërmbrojtësi tjetër kuqezi, po zhvillon një super sezon me Espanyol ku është kthyer në një titullar të padiskutuar.
(BalkanWeb)