Tirana rrezikon që në sfidën me Teutën të mos ketë dy lojtarë kryesorë të skuadrës, sulmuesin Ualid Zharmuni dhe Ian Soler.
Dy lojtarët u dëmtuan në sfidën ndaj Skënderbeut dhe lanë fushën më shpejt se zakonisht. Edhe pas tri ditësh nga sfida me korçarët që Tirana e fitoi me rezultatin 2-1, futbollistët sërish nuk u stërvitën me ekipin. Si Soler dhe Zharmuni punuan në palestër dhe më pas u panë të largoheshin nga stërvitja. Të dy futbollistët rrezikojnë shumë që të mos jenë në takimin me durrsakët që luhet të dielën në “Niko Dovana”. Gjithsesi, trajneri Bledi Shkëmbi do të presë deri në fund për të parë nëse lojtarët do të jenë të gatshëm apo jo. Në këtë moment që flasim, shanset janë përgjysmë, që ata të luajnë si titullar në takimin nr. 8 në Superiore.
ZËVENDËSUESIT – Me supozimin që dyshja nuk do të jetë në sfidën me Teutën, Shkëmbi duhet mendojë për zëvendësuesit. Zakonisht, Zharmuni është zëvendësuar nga Bajroviç, por edhe nga Ndreca si në sfidën e fundit. Soler ka dy zëvendësues klasikë. I pari është Meta, ndërsa i dyti është Tola. Nga ana tjetër, Shkëmbi mund të ketë zgjidhje të ndryshme. Fakt është që si Soler dhe Zharmuni janë dy lojtarë të veçantë në skemat e trajnerit. Si njëri dhe tjetri që nga vera kanë bërë shumë mirë, me francezin që madje ka shënuar edhe dy gola.
OBJEKTIVI I KLUBIT – Objektivi i parë i Tiranës në tri javët e fundit të fazës së parë është arritur. Tri pikë ndaj Skënderbeut, por bardheblutë e Shkëmbit duhet të mundin si Teutën, ashtu edhe Dinamon. Ekipi ia doli më në fund të merrte tri pikët që i ishin kthyer në makth. Tirana kishte 141 ditë që nuk triumfonte një ndeshje në kampionat. Fitorja e fundit datonte 11 maj 2024 ndaj Egnatias. Gjatë këtyre javëve bardheblutë kishin vetëm barazime. Nga ana tjetër, në klub shpresojnë që ekipi të mbyllë fazën e parë me 15 pikë dhe të jetë i pamposhtur.