Kol Palmer është sulmuesi i katërt më produktiv në pesë ligat më të mira të Evropës që kur iu bashkua Çelsit për 42.5 milionë paund vitin e kaluar.

Sulmuesi anglez ka kontribuar me 31 gola dhe 19 asiste në të gjitha kompeticionet prej startit të sezonit të shkuar, duke e dërguar numrin total të kontributeve të tij në gola në 50. Kjo e vendos atë përpara yjeve të tillë si Vinicius Zhunior, Robert Levandovski dhe shokun e skuadrës Nikolas Xhekson. Ai ka tre lojtarë përpara që shpreson t’i kapërcejë deri në fund të këtij sezoni që sapo ka nisur. Trajneri i Çelsit, Enco Mareska e ka vlerësuar Palmerin pas fitores ndaj Brajtonit si lojtarin më të mirë të Premier Ligës dhe pasi ai shënoi katër gola kundër “pulëbardhave”, e gjithë bota e futbollit po riflet për 22-vjeçarin. Megjithatë, Erling Haland, Kilië Mbape dhe Herri Kejn qëndrojnë në rrugën e tij.

Sulmuesi i Mançester Sitit, Haland, ka kontribuar vetëm një gol më shumë sesa ai, me 51. Norvegjezi ka shënuar 45 gola dhe ka regjistruar gjashtë asiste që nga fillimi i sezonit të kaluar në të gjitha kompeticionet, ndërsa ai ishte golashënuesi më i mirë në Premier Ligë për sezonin e dytë radhazi me 27 gola. Në sezonin e tij debutues ai shënoi një rekord prej 36 golash në kampionat. Palmer ka bërë që çmimi i tij prej 40 milionë paundësh që u pagua për ta transferuar nga Mançester Siti, të duket si qesharak. I dyti në listë është Mbape me 59 gola dhe asiste për PSG-në dhe Realin e Madridit. Francezi shënoi 48 gola dhe 11 pasime për gol, duke konfirmuar se pse “Los Blancos” ishin kaq të etur për të siguruar shërbimet e tij. Megjithatë, njeriu me një diferencë të konsiderueshme përpara është Herri Kejn i Bajernit të Mynihut.

Ndërsa 31-vjeçari nuk ka fituar ende një trofe me gjigantët gjermanë, ai ka qenë i mrekullueshëm duke udhëhequr linjën e sulmit të tyre dhe shënuar 51 gola dhe regjistruar 15 asiste për të arritur në 66 kontribute në total. Duke marrë parasysh që Palmer humbi futbollin evropian sezonin e kaluar, është e jashtëzakonshme që ai është atje lart duke konkurruar me më të mirët dhe është merita e tij që vetëm Florian Virc i Bajer Leverkusenit ka po aq asistime sa ai në klasifikimin e 10 lojtarëve më të mirë. Mohamed Salah vjen në vendin e pestë me 44 kontribute (29 gola, 15 asiste), ndërsa Levandovski, Oli Uotkins, Virc, Vincius Zhunior dhe Xhonatan David i Lilës përfundojnë klasifikimin e 10 më të mirëve.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb