Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Jamarbër Malltezit për çështjen e privatizimit të kompleksit “Partizani”.

BalkanWeb mëson se avokatët e Malltezit i ishin drejtuar me kërkesë Gjykatës së Lartë për të prishur vendimin e Apelit të Posaçëm të datës 28 qershor 2024 që e la atë në masën arrest shtëpie. Gjykata e Lartë ka vendosur mospranimin e rekursit të paraqitur nga Malltezi.

Rekursi Malltezi
Rekursi Malltezi

Avokatët e ish-kryeministrit dhe Malltezit, iu drejtuan Apelit të Posaçëm lidhur me informacionin dymujor të SPAK-ut për hetimet. Ata kërkuan shuarjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” të vendosur nga gjykata.

Po ashtu Malltezi e ka bazuar ankimin edhe në nenin 43 të kushtetutës dhe nenin 6 të konventës europiane të të drejtave të njeriut që lidhet me procesin e rregullt ligjor. Për këtë ankim Gjykata e Lartë ka vendosur që të shqyrtohet në dhomë këshillimi me procedurë të përshpejtuar.

Më herët Malltezi ka pretenduar se SPAK dhe GJKKO nuk kanë pranuar memo të paraqitura, dokumenta por edhe një ekspertizë private që kundërshton pretendimet e organit procedues.

Por Apeli la në fuqi masat e GJKKO-së dhe si rrjedhojë edhe Gjykata e Lartë “vulosi” vendimet e dy shkallëve më poshtë.

Kësisoj, Malltezi do të vazhdojë të qëndrojë në masën e arrestit shtëpiak teksa dosja për kompleksin Partizani tanimë ka mbërritur për gjykim në GJKKO.

Berisha dhe Malltezi akuzohen nga SPAK për “korrupsion pasiv të kryer në bashkëpunim” për privatizimin e ish-kompleksit sportiv “Partizani”. Malltezi akuzohet edhe për pastrim parash.

Prej 30 dhjetorit, ish-kryeministri Sali Berisha ndodhet në masë arresti shtëpie.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb