Frika për një përshkallëzim më të gjerë në Lindjen e Mesme është në rritje, teksa sytë e të gjithë botës janë drejtuar drejt Izraelit për të parë se cila do të jetë përgjigja ndaj Iranit pas sulmit më të madh raketor. Mediat ndërkombëtare raportojnë se përgjigja hakmarrëse do të ndodhë së shpejti.

“Ajo që ndodhi mbrëmë ishte një përgjigje e paprecedentë dhe, siç thashë sot në Këshillin e Sigurimit, do të jetë një përgjigje shumë e fortë, e dhimbshme. Do të ndodhë së shpejti,” deklaroi ambasadori i Izraelit në Kombet e Bashkuara, Danny Danon, për CNN.

Mirëpo, shefi ushtarak i Iranit paralajmëroi për sulme edhe më të gjera nëse Izraeli kundërpërgjigjet.

Megjithatë, “hakmarrja” e Tel Avivit nuk mbështetet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Presidenti Joe Biden deklaroi se ai nuk e mbështet një sulm të mundshëm izraelit ndaj zonave bërthamore iraniane.

Të martën, Teherani nisi mbi 200 raketa drejt Izraelit, në atë që ishte sulmi më i madh raketor ndaj këtij shteti. Raketat u kapën nga sistemi mbrojtës izraelit dhe aleatëve të tij.

Edhe pse po shqyrton mundësitë për një kundërpërgjigje, Izraeli nuk tërhiqet nga luftimet që synojnë shkatërrimin e dy grupeve terroriste në Gaza dhe Liban. Të paktën 6 persona raportohet se janë vrarë në orët e para të së enjtes në qendër të Bejrutit pas një sulmi ajror izraelit.

Është hera e parë që Izraeli godet këtë zonë që nga viti 2006. Sulmet e Izraelit kanë vrarë më shumë se 1,000 njerëz në Liban dhe kanë zhvendosur rreth 1 milion banorë që nga përshkallëzimi i luftës së tij me Hezbollah.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: