Lajmi i dhimbshëm që u përhap në Elbasan në prag të kësaj fundjave për ndarjen nga jeta në Spitalin e Traumës të Enea Thomarajt, 29-vjeçarit që mbeti i plagosur gjatë shpërthimit me tritol 3 muaj më parë në lagjen “Haxhias” të Elbasanit, në banesën e Alda Nikollit, i ka trishtuar të gjithë.
Banorët e Elbasanit e kanë përjetuar mjaft dhimbshëm këtë fatkeqësi e cila shkaktoi një viktimë të pafajshme. Fqinjët e të ndjerit shprehin indinjatën e tyre për faktin se ende pas tre muajsh ngjarja është pa autor dhe se siguria jo rrallë lë për të dëshiruar.
“Shpresonim se do t’i mbijetonte të keqes. Ndjehemi të pambrojtur dhe të rrezikuar edhe brenda shtëpisë. Nuk dimë kë kemi ngjitur me apartamentin dhe se çfarë problemesh kanë me ligjin e grupet kriminale. Zoti na ruajt se sot të gjen e keqja ku nuk e pret”, shprehen banorët të lagjes “Haxhia” ku jetonte Enea Thomaraj.
29-vjeçari ndërroi sot jetë mbeti i plagosur rëndë nga shpërthimi i një sasie tritoli që ndodhi në hyrjen përballë apartamentit të tij në katin e katërt në Lagjen “Haxhias” të Elbasanit, në 14 korrik.
(BalkanWeb)