Një tjetër institucion refuzon Komisionin e Posaçëm Antikorrupsion të drejtuar nga deputeti i PS, Fatmir Xhafaj. Prokuroria e Përgjitshme bëri të ditur sot përmes një deklarate për mediat se nuk do të ulet në tryezën e diskutimit me ekspertë. Më herët komisionin Xhafaj e kanë refuzuar edhe SPAK, Gjykata e Lartë, Gjykata Kushtetuese dhe ILD.

“Prokuroria e Pergjithshme ka shprehur vullnetin të bashkëpunojë me Komisionin e Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e Reformave për Mirëqeverisjen, Sundimin e Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian” për çdo çështje të natyrës teknike që lidhet me kuadrin kushtetues e ligjor brenda të cilit funksionon prokuroria dhe sistemi i drejtesisë.

Prokuroria nuk do të marrë pjesë me ekspertë si pjesë të nëngrupit të punës së komisionit, por ka njoftuar komisionin për caktimin e pikave të kontaktit të institucionit sipas fushave përkatëse të ekspertizës, të cilët do të bashkëpunojnë me komisionin në formën e dhënies së opinioneve mbi produktet e punës së këtij të fundit në të gjitha rastet që do t’u kërkohet prej tij”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Përgjithshme.

Kështu, pesë institucione të drejtësisë njëri pas tjetrit i kanë thënë “Jo” uljes në tryezën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar Antikorrupsion.

Mungesë në tryezën e komisionit të drejtuar nga socialisti Fatmir Xhafaj pritet të ketë edhe nga radhët e Shoqërisë Civile. Instituti i Studimeve Politike ka saktësuar përmes një deklarate se nuk do t’i bashkohet diskutimeve, ndërsa i tërheq vërejtje mazhorancës se ka caktuar në krye të komisioneve politikanë të niveleve të larta të PS, të cilët nuk garantojnë konsensus.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb