Grupi Houthi në Jemen publikoi një video të enjten në mbrëmje ku tregon një tanker britanik të naftës duke u shënjestruar në Detin e Kuq, në perëndim të Jemenit, me një re të dendur të zezë tymi që përhapet në qiell, transmeton Anadolu.
Videoja, e cila u shpërnda nga mediat ushtarake të grupit në platformën X, supozohet se tregon një sulm ndaj tankerit britanik të naftës “Cordelia Moon”.
Sipas Houthive, sulmi është kryer duke përdorur një varkë dron si pjesë e “operacioneve të tyre ushtarake kundër anijeve amerikane dhe britanike” dhe si një vazhdimësi e “bllokadës detare ndaj armikut izraelit”.
Në fillim të kësaj jave, Houthit morën përgjegjësinë për tri sulme në Detin e Kuq, Detin Arabik dhe Oqeanin Indian. Një nga anijet e synuara ishte “Cordelia Moon”, për të cilën grupi tha se pësoi “dëmtime të rënda”.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë përgjigje zyrtare nga Britania në lidhje me pretendimin e Houthive.
Udhëheqësi i grupit Abdul-Malik al-Houthi tha më herët të enjten se Izraeli dhe SHBA-ja kanë kryer 39 sulme në Jemen gjatë javës.
Që nga fillimi i vitit 2024, një koalicion i udhëhequr nga SHBA-ja ka kryer sulme ajrore në Jemen, duke pretenduar se synon vendndodhjet e Houthive në përgjigje të sulmeve të grupit në Detin e Kuq.
Kundërsulmet janë pritur herë pas here me hakmarrje nga grupi.
Houthit kanë vënë në shënjestër anije mallrash të lidhura me Izraelin në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit në shenjë solidariteti me Rripin e Gazës, i cili ka qenë nën sulm izraelite që nga 7 tetori i vitit të kaluar.