Një grua është plagosur sot me armë zjarri rreth orës 12:20 në rrugën “Mukadeze Lika”, në Prishtinë. Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Sipas saj, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme. “Sot rreth orës 12:20, kemi marrë informacione për një plagosje me armë zjarri të ndodhur në rrugën ‘Mukadeze Lika’ në Prishtinë.
Menjëherë pas marrjes së informacionit, policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme që konsistojnë në hetimin e rrethanave që karakterizojnë ngjarjen”, ka thënë ajo.
Më tej, Ahmeti tha se e lënduara është dërguar për trajtim mjekësor.
“Bazuar në të dhënat fillestare, në këtë rast nga arma e zjarrit është lënduar një person. E lënduara është dërguar për trajtim mjekësor, ndërkohë që hetuesit policor në koordinim me prokurorinë dhe IPK-në po merren me rastin”, tha ndër të tjera Ahmeti.
(BalkanWeb)