Izraeli ka regjistruar lëshimin e 100 raketave nga Libani që nga mëngjesi i sotëm, me disa prej raketave që kanë shkaktuar zjarre në rajonin e Galilesë, tha Kanali 12 izraelit, transmeton Anadolu.
Raketat, të lëshuara nga Hezbollahu, kanë çuar në aktivizimin e sirenave në gjithë veriun e Izraelit. Disa prej predhave kanë rënë në zona të hapura, duke shkaktuar zjarre në disa pjesë të Galilesë, megjithëse deri më tani nuk është raportuar për viktima.
Paralelisht me këtë, kreu i këshillit lokal në vendbanimit Metula, David Azulai ka thënë: “Përafërsisht 50 incidente të rënies së raketave dhe copëzave u regjistruan në Metula gjatë 24 orëve të fundit”, raporton e përditshmja “Haaretz”.
“Dëme të konsiderueshme u shkaktuan në shtëpi, kënde lojërash, oborre dhe infrastrukturë thelbësore, si furnizimet me energji elektrike dhe ujë”, ka shtuar Azulai.
Ai ka thënë se zjarre kanë shpërthyer për shkak të raketave, duke çuar në dëmtime të mëtejshme, përfshirë edhe një depo të goditur. Metula ka qenë një nga zonat më të shënjestruara që nga fillimi i luftimeve midis ushtrisë izraelite dhe Hezbollahut gati një vit më parë.
Sot më herët, radioja e ushtrisë izraelite raportoi se 60 raketa ishin lëshuar nga Libani, me sirena që vazhdonin të bien në vendbanimet pranë kufirit libanez. Hezbollahu dhe Izraeli janë përfshirë në luftë ndërkufitare që nga fillimi i sulmeve izraelite në Gaza, të cilat kanë vrarë mbi 41.800 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë, pas një sulmi nga grupi palestinez Hamas tetorin e kaluar.
Sipas autoriteteve libaneze, nga sulmet izraelite në Liban, të paktën 1.947 njerëz janë vrarë, afro 9.400 janë plagosur dhe 1.2 milion të tjerë janë zhvendosur.
Komuniteti ndërkombëtar ka paralajmëruar se sulmet izraelite në Liban mund të përshkallëzojnë konfliktin e Gazës në një luftë më të gjerë rajonale.