Ambasadori gjerman në Shqipëri, Karl Bergner tha në një takim mbi dosjet e ish Sigurimit, se përballja me të shkuarën dhe turpin për atë që ndodhi është themeli i shtetit gjerman. Por ndërsa gjermanët kanë turp, pas 3 dekadash, Shqipëria ende nuk ka nsiur zyrtarisht të kërkojë të zhdukurit

Është mbajtur në Tiranë konferenca e rrjetit europian të Arkivave të Dosjeve ish Policive sekrete. Me praninë e arkivave nga disa vende që janë përballuar me të shkuarën komuniste, kryetarja e Autoritetit të Dosjeve foli për nevojën e kulturës së reflektimit.
“Besoj se aq përpjekje sa harxhon një diktaturë, ose aq përpjekje sa harxhohen për luftën, sikur një fraksion e tyre të harxhohej për paqen dhe për të drejtat e njeriut, dhe për projekte reflektuese si këto tonat, bota do të ishte më e mirë”.

Në një Shqipëri që e përjetoi diktaturën për më se katër dekada, dëmshpërblimet për jetët e humbura, dënimet apo pronat e konfiskuara në diktaturë janë zvarritur. Gjithaq, më se tri dekada pas rënies së sistemit, shteti shqiptar ende nuk ka nisur zyrtarisht kërkimin e të zhdukurve ose të pushkatuarve nga komunistët. Kjo, sepse deklaratat nuk ndiqen nga veprat dhe arsyeja mund të gjendet në mënyrë të tërthortë në mesazhin e ambasadorit gjerman, ndryshe nga gjermanët ne nuk kemi turp nga diktatura.

“Nga përvoja personale mund të them se na u desh shumë kohë për të tejkaluar turpin, për të folur hapur për atë pjesë të historisë së Gjermanisë, që është pjesë e vendit tonë. Përballja me ato kohë, është themeli i shtetit gjerman. Njerëzit duhet të kuptojnë mekanizmat a tyre sistemeve, sepse shtypjen nuk e krijoi një sistem abstrakt, por njerëzit”, tha Ambasadori Karl Bergner.

Përfaqësuesit e rrjetit europian sollën përvojat e tyre që mund të çojnë në një platformë të përbashkët.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb