Reshjet e shiut përfshinë sot pjesën më të madhe të Shqipërisë, ndërsa një situatë jashtëzakonisht e vështirë u regjistrua në qytetin e Vlorës.
Uji ka vërshuar nga të gjitha drejtimet duke hyrë në banesat e qytetarëve, si edhe në bizneset e qytetit.
Qarkullimi u vështirësua në pjesë të caktuara të qytetit, ndërsa në brendësi të lagjeve të qytetit bregdetar situate ishte më e rëndë.
Për këmbësorët rrugët kanë qenë të pakalueshme, ndërsa vështirësi nuk kanë munguar edhe për automjetet.
Në përgjigje të situatës alarmante, Ministria e Mbrojtjes njoftoi mobilizimin e Forcave të Armatosura dhe Mbrojtjes Civile.
Nga ana tjetër kryebashkiaku i Vlorës, Ermal Dredha tha se janë evakuuar 30 familje dhe se janë vënë në dispozicion konviktet e shkollave mjekësore, për personat që kanë nevojë.
Po ashtu, ai ka apeluar që qytetarët të kontaktojnë numrat e emergjencës pasi situata vijon të mbetet kritike.