Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka debatuar me analistin Lorenc Vangjeli gjatë emisionit ‘Log’, ku Vangjeli theksoi se veprimet e opozitës në Kuvend këto javët e fundit janë të ngjashme me ato të vjeshtës së kaluar.

Noka e refuzoi këtë krahasim, duke shpjeguar se aksioni i opozitës në atë kohë kishte si qëllim njohjen e të drejtave kushtetuese, ndërsa tani ata po luftojnë për çështje më të rëndësishme për vendin dhe demokracinë. “Nuk hynim për të rrëzuar regjimin atëherë, por për të mbrojtur të drejtat e opozitës. Tani, ne jemi të angazhuar për një kauzë të re, për çështje jetike për demokracinë, e cila është asfiksuar nga Edi Rama,” u shpreh Noka.

Analisti Vangjeli, nga ana tjetër, u fokusua te zgjedhjet e ardhshme, duke sugjeruar se opozita ka nevojë të kalojë barrierat e saj për të pasur shansin për të fituar. Ai theksoi se “nëse opozita vazhdon të izolohet në një hapësirë gjithnjë e më të vogël elektorale, do të përballet me rrezikun e mbetjes në opozitë edhe vitin tjetër.”

Në një pjesë të diskutimit, Vangjeli e krahason situatën e tanishme me vitin e kaluar, duke bërë një pyetje rreth fituesve të kësaj lufte politike. Ai sugjeroi se ndonëse ekzistojnë probleme serioze, një strategji e gabuar mund të dëmtojë opozitën më tej. “Revolucioni i karrigeve nisi me burgosjen e Salianjit. Opozita duhet të rishikojë qasjen e saj, përndryshe do të humbasë edhe më shumë,” përfundoi Vangjeli.

Pjesë nga debati:

Vangjeli: Pyetja është kush fiton në këtë histori, ne vjeshtën e viti të kaluar kishte skena të ngjashme, u shpall lufta në Kuvend, dhe më pas u vu paqja, askush se kujton.

Noka: Ne hymë në aksion në vjeshtë që e drejtat kushtetuese të njiheshin, ishin komisionet hetimore. Opozita e detyroi mazhorancën të kthehej pas. Këto dimensionet e tua nuk shkojnë, nuk hymë për të rrëzuar regjimin atë kohë, por për të drejta e opozitës. Tani jemi për një kauzë tjetër, për çështje madhore, jetike për vendin dhe demokracinë. E ka asfiksuar frymëmarrjen e demokracisë Edi Rama.

Vangjeli: Nis revolucioni me buton në tetor. Nga e enjtja në të enjte. Ju u rikthyet edhe njëherë në paqe. E liga e madhe që kemi sot, ekzistonte. Revolucioni i karrigeve nisi me burgosjen e Salianjit. Është pjesë e një strategjie shumë të gabuar në këndvështrimin tim, tradita më thotë të njëjtën gjë. Se u radikalizua më 2019 dhe tani po shkon sërish. Pyetja është kush fiton në këtë histori? Në këndvështrimin tim, është sërish një rrjedhë lumi, që çon ujë në mullirin e mullixhiut tashmë të thinjur, Edi Rama. Nëse ka një shans opozita të fitoj zgjedhjet është të kaloj gardhin e saj, po blindon një ngastër gjithmonë e më të vogël elektorale, që do ta lërë në opozitë edhe vitin tjetër. Kush humb, thonë, i vodhi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb