Deputeti Arbi Agalliu e la quajtur situatën e përmbytjeve në Vlorë një histori që përkeqësohet çdo vit. Ai theksoi se ndërtimet informale, mungesa e një hidrovori funksional dhe kanaleve kulluese, si dhe mos pastrimi i sistemeve të kanalizimeve, janë disa nga arsyet kryesore që kontribuojnë në këtë krizë.

“Ndërtimet informale pa kriter, mungesa e një hidrovori funksional për përmasat e qytetit, mungesa e kanaleve kulluese funksionale dhe abuzimi me sistemet e kanalizimeve janë disa nga arsyet e kësaj përmbytjeje që i kanë sjellë kosto të larta qytetarëve, biznesit dhe Vlorës në tërësi,” shkroi Agalliu në postimin e tij.

Ai theksoi se problemet nuk janë të reja dhe se duhet të ketë një punë të vazhdueshme për të adresuar këto çështje, në vend që të pritet që situata të përkeqësohet për t’u vepruar. “Nuk duhet të kujtohen sot, por duhet punë e vazhdueshme që ka vite që nuk bëhet në funksion të qytetit,” shtoi ai.

Agalliu kërkoi gjithashtu që strukturat e pushtetit lokal dhe Shtabi Qendror i Emergjencës Civile të veprojnë me urgjencë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve të prekur nga përmbytjet.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb