7 ndeshje 16 pikë, kreu i Serie A. Napoli përforcon pozitat në krye pas suksesit 3-1 kundër Como-s, një fitore e rëndësishme, me blutë që kalojnë presionin tek ekipet rivalët e tyre. Antonio Conte i falet edhe një herë Romelu Lukakut, me belgun që zhvilloi një super ndeshje me 2 assiste dhe 1 gol.
Në topin e parë që i erdhi në këmbë, në minutën e parë, Lukaku shërbeu për McTominay, me mesfushorin skocez që nuk fali duke dërguar topin në rrjetë. Como reagoi, madje fuqishëm, me disa goditje nga jashtë zonë, ndërsa në fundin e pjesës së parë arritën të barazonin shifrat.
Në pjesën e dytë, në minutën e 53-të, Napoli fitoi një 11-metërsh. Nga pika e bardhë e penalltisë, Lukaku u tregua i saktë duke rikthyer blutë në avantazh, ky ishte goli i tij i 3-të sezonal, plus 4 assiste. Për të mbyllur llogaritë me Como-n mendoi sërish Lukaku, i cili në minutën e 86-të dhuroi një pasim të përkryer për Neres, me këtë të fundit që nuk fali përballë portierit duke sigluar shifrat në 3-1.
Shijon këtë trepikësh Antonio Conte, por trajneri i Napoli përpiqet të mbajë ambientin me këmbë në tokë: “Nuk e di nëse jemi për vend të parë, por di që ne jemi në krye. Kë rival do të ndjek këtë fundjave? Rëndësi ka që fituam ne”, u shpreh Conte duke bërë në fund dhe një koment për Lukakun: “Ai është një lojtar i aftë të spostojë ekuilibrat. Po rritet, si në nivel fizik ashtu edhe në paraqitje, por mund të bëjë më mirë”, theksoi ndër të tjera Antonio Conte.
(BalkanWeb)