Kryetari i bashkisë së Vlorës, Ermal Dredha ka zbuluar në një komunikim të drejtpërdrejtë për News24 se mëngjesin e sotëm në lagjet e qytetit bregdetar ka ende prezencë të ujit.

Ai zbuloi se ditën e djeshme ka pasur një prurje të pazakontë prej 180 milimetrash në 2 orë e gjysmë, prurje e cila zakonisht regjistrohet në një periudhë rreth 30-ditore sipas tij.

Dredha apeloi drejt qytetarëve që të tregojnë durim në këto momente pasi në Vlorë ka disa pika të prekura rëndë nga përmbytjet.

Ai shtoi se hapi i radhës do të jetë evidentimi i dëmeve të shkaktuara nga reshjet e dendura dhe më pas aktivizimi i fondit të emergjencave.

“Ka prezencë uji në disa lagje të qytetit. Ka pasur një prurje prej 180 mm për 2 orë e gjysmë, prurje e cila mund të ndodhë për një muaj. Qytetarët duhet të jenë pak të duruar, sepse kemi disa pika të prekura rëndë. Hapi tjetër është evidentimi i gjithë dëmeve të shkaktuara në terren që më pas të aktivizohet edhe fondi i emergjencave për të ndihmuar banorët”, tregoi ai për News24.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: