Pas 3 muajsh në koma, ditën e djeshme 29-vjeçari Enea Thomaraj ndërroi jetë në spitalin e Traumës. Ai mbeti i plagosur rëndë gjatë atentatit me tritol në Elbasan, pasi një lëndë plasëse u vendos në derën e banesës së motrave Xhovana dhe Alda Nikolli. Thomaraj fqinj me dy shënjestrat u plagos rëndë, ndonëse nuk kishte lidhje me ngjarjen, por u gjend në vendin dhe kohën e gabuar.
Sot, PD përmes Sekretarit për Emigracionin dhe Diasporën, Indrit Hoxha, denoncoi se i riu është viktimë e lidhjes së politikës me krimin. Sipas tij, porositës i krimit është Nuredin Dumani, i penduari i drejtësisë për një mori krimesh. Hoxha akuzon edhe ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja se i ka kthyer qelitë e burgut në shtab të vrasjeve me porosi.
Deklarata
Pas tre muajsh lengatë në intubim, 29 vjeçari, Enea Thomaraj ka ndërrruar jetë. Partia Demokratike i shpreh ngushëllimet më të ndjera familjes Thomaraj dhe i bën me dije se nuk do të ndalet në denoncimin e këtij krimi që mori jetën e njeriut të tyre të dashur. I plagosur rende në shtëpinë e tij, pa asnjë lidhje me as tritolin e vendosur në pallatin ku banonte, apo me asnjë ngjarje tjetër kriminale, Enea Thomaraj është dëshmori i lidhjes së drejtësisë dhe politikës me krimin. Ai mund të jetë vrarë nga tritoli i vendosur nga duar banditësh por porositësit dhe lejuesit e krimit janë Nuredin Dumani dhe Altin Dumani.
I pari, sepse me lejen e Ulsi Manjës e ka kthyer qelinë e burgut në shtab të vrasjeve me porosi. Prej kësaj qelie me televizor, telefon dhe komoditete të shumta Dumani i krimit ka porositur edhe tritolin për të vrarë motrat Nikolli. Shpërthimi i paguar nga Dumani i ka marrë jetën 29 vjeçarit Enea. Gjaku i tij gjendet edhe në duart e Dumanit tjetër, Altinit kushuririt te Nuredinit të SPAK, i cili nuk lëvizi as gishtin kur motrat Nikolli, të shperngulura nga Lezha ne Elbasan për t’i shpëtuar vrasësit serial, e denoncuan me guxim ne Prokurorinë e Posaçme.
Nëse SPAK do kishte ndërhyrë, Nuredini do ta kishte humbur aksesin te privilegjet e kundraligjshme, madje duhej futur në izolim, siç parashikon ligji. Asnjë nga këto nuk ka ndodhur sepse Dumani prokuror, afërmendsh do ta ruajë Dumanin kushuri kriminel. I ashtuquajturi bashkëpunëtor i drejtesisë është kështu në bashkëpunim me Dumani e kontrolluar nga Krimi.
Si shpjegohet ndryshe mungesa e një të dyshuari apo të ndaluari tre muaj pas atentatit që i mori jetën 29 vjeçarit në Elbasan? Si shpjegohet që SPAK nuk e pranon denoncimin e dy vajzave të reja kundër një prej vrasësve serial më famezinj në historinë e Shqipërisë? Si shpjegohet që 2 shqiptarë, Enea Thomaraj 29 vjeç dhe Pal Trashaj 63 vjeç, u lanë të vdisnin vetëm pse SPAK nuk u ngrit ne lartësinë e duhur? Nëse SPAK nuk i heton krimet e denoncuara nga qytetarët, kush e heton SPAK? A ndjehet Dumani kaq i posaçëm sa te mos e lejojë Prokurorinë e Posaçme të hetojë krimet kushuririt te tij dhe aleatëve të posaçem të pushtetit, dhe të hetojë pa fakte të gjithë kundershtarët e pushtetit?
Këto janë pyetjet që ne dhe publiku bëjmë, sepse vrasja me tritol e Enea Thomallarit është vrasje shtetërore në kuptimin e mbrojtjes që Dumani prokuror i bën Dumanit vrasës serial sigurisht, nga detyrimet që ka ndaj tij.
(BalkanWeb)