Përmbytjet në Vlorë kanë shkaktuar probleme të shumta. Gazetari i News24 Enrik Mehmeti ka kontaktuar me qytetarë, banesat e të cilëve edhe 24 orë pas ndërprerjes së shirave janë të mbushura me ujë dhe llum.

Remzi Limo është një prej banorëve, banesa e të cilit është përmbytur 5 herë. Ai shprehet se ka telefonuar kryebashkiakun, i cili nuk i është përgjigjur, ndërkohë që zjarrfikëset dhe policia kanë shkuar me shumë vonesë. Limo thotë se kanë kërkuar ndihmë gjatë ditës së djeshme, pasi niveli i ujit kishte arritur deri në 1.5 metra jashtë banesës.

“Jam me dy invalidë, shtëpia është përmbytur, s’kam as motra as vëlla, asnjë njeri s’kam. Ku te vete, ku të mbytem.

Shtëpia është e mbushur me ujë e llum. Kjo është e 5-ta herë që përmbytet dhe unë s’kam marrë asnjë majë gjilpëre.

Kam marrë kryetarin e bashkisë nuk më është përgjigjur, kam marrë edhe të tjerë nuk më janë përgjigjur.

Dje morëm policinë, zjarrfikëset, na thonin erdhëm erdhëm dhe na gënjenin.

Uji jashtë ishte 1.5 metra, brenda ishte 50-60 cm, ne ishim në ujë, askush nuk vinte të na ndihmonte”, shprehet qytetari, i cili kërkon një zgjidhje.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb