Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar këtë të dielë në fshatin Suç të Bashkisë Klos.

Një 41-vjeçar u përplas për vdekje në rrugën e fshatit Kurdari pak metra larg kishës së fshatit. Leonard Doçi po lëvizte në këmbë nga fshati Kurdari për në rrugën nacionale Klos-Burrel kur është goditur nga automjeti tip benz më drejtues 19-vjeçarin Ergis Selimi.

Përplasja ka qenë e fortë teksa e ka zhvendosur disa metra larg 41-vjeçarin duke e nxjerrë jashtë rrugës.

Automjeti ka lëvizur në kanal përreth 30 metra ku dhe ka ngecur aty.

41 vjeçari Leonard Doçi është transportuar me urgjencë për në spitalin e Burrelit por për shkak të plagëve të marra ka humbur jetën.

Ndërkohë 19 vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mat. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit ku paraprakisht dyshohet të jetë shpejtësia e lartë dhe lagështia në rrugë.

Informacion paraprak
Me datë 06.10.2024, rreth orës 09.30, në rrugën dytësore të fshatrave Kurdari-Suç, shtetasi E.S., 19 vjeç, teksa drejtonte automjetin e tij, ka aksidentuar shtetasin E.D., (këmbësor), i cili si pasojë e dëmtimeve të marra, ka humbur jetën në spital.

Drejtuesi i automjetit është shoqëruar në Komisariat, për veprime të mëtejshme, ndërkohë grupi hetimor po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: