Sali Berisha iu drejtua sot qytetarëve me një mesazh para protestës kombëtare që ka si kryefjalë mosbindjen civile.

Berisha rikujtoi se opozita shqiptare në 3 vite ka zhvilluar plot 7 protesta kombëtare.

“Protesta masive, ndër më të mëdhatë që Shqipëria ka parë në historinë e saj. Këtë mosbindje, ne kemi patur të gjitha mundësitë ta nisnim që 3 vite përpara, në protestën e 7 korrikut 2022. Madje ishte kërkesa kryesore e popullit opozitar për ta bërë këtë. Por në këto 3 vite, ne ndoqëm një qasje tjetër. Kemi mbajtur fjalime. Kemi denoncuar me fjalë. Kemi ngritur zërin. Kemi bërtitur. Por a u dëgjuam ne?
Cila është përgjigja që kemi marrë? Në 2022, na vodhën flamurin e partisë. Na detyruan të shkojmë në zgjedhje, pa vulë, pa simbole pa financa, pa komisionerë, pa emrin e liderit në fletën e votimit. Një vendim kriminal që sot historia, e fakton se ishte plumb i qëllimshëm ndaj opozitës për ta asgjësuar atë! Ne vijuam sërish protestat kombëtare. Ne vazhduam sërish ngritëm zërin. Sërish kërkuam të drejtat tona.
Por kujtoni pak çfarë përgjigje morëm. Në 2023, me urdhër te Edi Rames mercenaret e skrapit arrestuan pa asnjë fakt dhe provë, në mënyrë antikushtetuese, liderin e opozitës. Kërkuan të paraqesin Sali Berishën, si një të korruptuar”, tha ai.

Berisha theksoi se në hetimet 4-vjeçare, që shkuan deri në tre breza të familjes së tij, “të vetmet prova që u paraqitën si korrupsion, për paturpësinë e tyre, ishin pagesa që vajza ime kishte bërë për trajtime të mia shëndetësore dhe bamirësi për fëmijë me aftësi ndryshe”.

“Të gjitha këto me para të justifikuara ligjërisht deri në qindarkën e fundit! Dhe se dhëndri im si njëri nga 510 mijë qytetarë shqiptar, ish-pronar që morën pronat e tyre në vitet 2005-2013, mori dhe ai 410 m2 te pasardhësve te tij edhe te pushkatuar ne regjimi komunist
Ne vijuam sërish me protestat më masive. Me fjalime dhe denoncime. Me kërkesa legjitime për qeveri teknike. Por çfarë përgjigje morëm?
Vitin tjetër, kjo luftë kundër opozitës vazhdoj dhe u egërsua.
2024, ishte viti i zi, ku kryetarit te zgjedhur me votën e qytetarëve Edi Rama për interesa te tij mafioze e burgos dhe e dënon me dëshmitar te rreme. Ku deputetë të opozitës, burgosen mbrapa hekurave po me dëshmitar te rrem sepse denoncuan publikisht vëllain narkotrafikant të Fatmir Xhafës, i cili sot, për shkak të këtij denoncimit të guximshëm të Ervin Salinjit, Geron Xhafa gjendet në burg në Itali.
Ku drejtues te partive tjera opozitare ndiqen penalisht vetëm se janë kundërshtar politik te Edi Rames.
E pra u përpoqëm miq, në 3 vite, me 7 protesta kombëtare. Të kërkojmë të drejtat tona themelore. Nuk na dëgjuan. Gjysma e shqiptarëve u trajtuan paturpësisht si të ishin qytetarë të dorës së tretë, pa të drejta të barabarta”, deklaroi Berisha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: