Rruga nacionale Burrel – Skuraj është bllokuar për disa orë për shkak të shembjes masive të gurëve dhe shkëmbinjve. Më problematike situata është paraqitur në segmentin e Shkopetit ku pas reshjeve të shirave ditët e fundit rënia e gurëve të mëdhenj ka qenë e vazhdueshme.

Një masiv shkëmbor është shkëputur këtë të dielë nga shpati i malit duke vënë në rrezik drejtuesit e mjeteve dhe udhëtarët. Këta të fundit shprehen se e gjithë rruga është e pa sigurt ku përveç gropave dhe dëmtimit të asfaltit, rrezik përbëjnë gurët e shkëmbinj që shkëputen herë pas here nga shpati i malit.
“Na ka ruajtur se siguri nuk ka këtu. Punëtorët mundohene pastrojnë çdo ditë por këtu bien çdo ditë. Duhet të ketë rrjeta mbrojtëse. Rruga është e rrezikshme, Nga këtu deri në Burrel është e gjitha me gropa. Është e pakalueshme”, shprehen banorët.

Rënia e gurëve në këtë aks rrugor ka qenë një problem i vazhdueshëm pasi mungojnë rrjetat mbrojtëse në të gjithë aksin nga Shkopeti e deri tek ura e Ulzës ku është e domosdoshme vendosja e tyre.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb