Partizani mori kreun e klasifikimit në Superiore për herë të parë këtë sezon. Kampionati shqiptar do gëzojë tani disa ditë pushim, për shkak të angazhimit të Kombëtares në Ligën e Kombeve.
Pas rikthimit, Partizanin e pret një kalendar “ferri”. 3 sfidat e ardhshme do të luhen në transferta që konsiderohen teste të vërteta. Kështu takimi i parë do të jetë përballë Elbasanit në “Elbasan Arena”, më 19 tetor. Kjo sfidë premton spektakël pasi 2 pikë i ndajnë skuadrat nga njëra-tjetra.
Pas Elbasanit do të jetë radha e Shkodrës për të pritur Partizanin. Sfida projektohet me Vllazninë për t’u luajtur më 27 tetor. Transfertat përfundojnë në Korçë, 3 ditë më vonë. Aty ku të kuqtë i kanë humbur 2 përballjet e fundit. Diferenca e Partizanit me vendin e gjashtë është vetëm 2 pikë. Një arsye kjo përse 3 ndeshjet e ardhshme janë me të vërtetë testuese për kryesuesit.