Gazetari i News24 Igli Çelmeta duke folur për protestën e opozitës e cila pritet të nisë në orën 18:00 tha se për mbarëvajtjen e protestës janë të angazhuar rreth 1500 efektivë të Policisë së Shtetit.

Çelmeta tha se porosia kryesore e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, për drejtuesit e policisë në Tiranë dhe shefat e komisariateve është që strukturat policore të ruajnë qetësinë dhe të mos provokohen.

Duke folur për masat e sigurisë përgjatë orëve të protestës, e cila zyrtarisht do të zgjasë 4 orë, referuar lejes së dhënë nga strukturat e rendit, gazetari i News24 tha se godina e Kryeministrisë do të ruhet nga të paktën 3 kordonë, ku i pari është me efektivë të rendit, më pas vijnë ato të Repartit Shqiponja dhe në fund forcat e FNSH-së. Ndërkohë ekipe të forcave RENEA do të jenë në gadishmëri nëse ka një precipitim të situatës.

Çelmeta tha se të gjithë punonjësit e policisë do të jenë të pajisur me maska kundragaz, ndërkohë që pas godinës së Kryeministrisë do të qëndrojnë 5 autobote me ujë, të gatshme për të ndërhyrë në rast të precipitimit të situatës apo një përplasje të dhunshme mes protestuesve dhe forcave të rendit.

Në kuadrin e masave, agjentë civilë të policisë do të jenë të infiltruar në rradhët e protestuesve. Gazetari Çelmeta tha se policia e shtetit është e përgatitur për çdo skenar të mundshëm, ndërkohë që pothuajse të gjithë efektivët e policisë së Tiranës do të jenë në terren.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb