Faik Basha, sekretar për Çështjet e Sigurisë në PL, tha në rubrikën “Opinion” në News24 se protesta e opozitës ndoshta mund të jetë shumë e vështirë për tu menaxhuar, përfshi edhe nga drejtuesit e opozitës.

Ai tha se kur protestat janë masive bëhen edhe shumë të vështira për tu kontrolluar, pasi do të kemi një raport jo të drejtë mes protestuesve dhe forcave të rendit.

“Do të kemi një protestë pa një lokacion të caktuar, që do të thotë se do të kemi një qarkullim të protestuesve, duke e bërë pothuajse të pamundur menaxhimin e saj nga Policia e Shtetit”, tha Basha.

Ai tha se pavarësisht se policia ka eksperiencë në menaxhimin e protestave, e veçanta e asaj që do të mbahet sot, është se protestuesit nuk do jenë në një lokacion të caktuar.

“Nëse lokacioni ndryshon dhe nuk dihet se si do të vazhdojë protesta, atëherë duhet të keni parasysh se edhe forcat e rendit nuk do të jenë në gjendje të menaxhojnë situatat”, tha Faik Basha.

Ai tha se një punonjës policie nuk mund të veprojë pa marrë një urdhër, qoftë edhe për përdorimin e gazit lotsjellës.

Basha tha se nëse ka një konflikt mes protestuesve dhe policisë, atëherë do të jetë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, i cili do të duhet të urdhërojë gjithë zinxhirin komandues, për të përcaktuar edhe veprimin, edhe shkallën e përgjigjes nga ana e strukturave policore.

Në vijim ai u shpreh se në jo pak raste kemi parë se si janë eskaluar situatat kur kemi pasur gabime nga ana e strukturave të policisë.

“Ka raste kur policia goditet nga qytetarët, por ajo nuk mund të futet në turmë për të kapur 2 apo 3 protestues të dhunshëm, pasi kjo çon në eskalimin e situatës”, tha Basha.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb