Kredia për biznesin e madh po rritet me ritëm të shpejtë.
Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit gusht, kredia për këtë segment arriti vlerën e 246 miliardë lekëve.
Në një vit, kredia për korporatat është rritur me 46 miliardë lekë ose 23%. Ky ritëm rritjeje është pothuajse dy herë më i lartë se rritja mesatare e kredisë për ekonominë.
Të dhënat e detajuara tregojnë se norma më e lartë e rritjes së kredisë për biznesin e madh regjistrohet në segmentin e kredive afatgjata, që zakonisht kanë si qëllim financimin e projekteve të reja të investimit.
Kredia afatgjatë në fund të gushtit rezultonte në rritje vjetore me më shumë se 36%, për një vlerë totale prej 111 miliardë lekësh. Rritja e kredisë afatgjatë duket se i detyrohet sidomos rritjes së shpejtë të financimeve për pasuri të paluajtshme. Në fund të gushtit, rritja vjetore e portofolit të kredisë për pasuri të paluajtshme për bizneset arriti në 56%.
Kreditë për biznesin dhe në veçanti ekspozimet e mëdha në segmentin e korporatave dhanë ndikimin kryesor në krizën e kredive me probleme, që kulmoi në vitin 2015.
Edhe për këtë arsye, në dekadën e fundit bankat janë përpjekur të ulin gradualisht ekspozimet e mëdha, duke vendosur fokus në rritjen e kreditimit në segmentin me pakicë. Megjithatë, në dy vitet e fundit po vërehet një tendencë në rritje për të marrë përsipër ekspozime në vlera të mëdha te klientët korporativë./ Monitor