TIRANË

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot kryebashkiakët e vendit, teksa e ka nisur fjalën e tij me emergjencat.

Rama tha se është fakt që të gjitha vendet duhet të përballen me zjarret në verë dhe përmbytjet në tre stinët e tjera.

Ai i vuri “fajin” ndryshimit të këtyre fenomeneve dhe strukturës së reshjeve, por theksoi se dobësia në reagimin e strukturave nuk mund të neglizhohet.

“Janë katër pika me një rëndësi shumë të veçantë dhe unë dua ta filloj nga emergjencat sepse tanimë është fakt i kohës që jetojmë që të gjithë vendet duhet të përballen në periudhën me zjarre, në periudhën e vjeshtës, dimrit, pranverës me përmbytje. Natyra e këtyre fenomeneve ka ndryshuar dhe ndryshon çdo vit. E kemi parë të gjithë se çfarë ndodhi në Austri dhe e pamë se ç’ndodhi këtu në ditët kur u përmbyt Vlora, në Bosnje ku humbën jetën shumë njerëz dhe dëmet e sipërfaqja e plagës së hapur atje janë marramendëse. Ka një shpjegim shumë të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që u bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar komplet formacioni i reshjeve. Para disa kohëve u bë spektakolare përmbytja në Dubai, ku faktikisht në harkun e 18 orëve ra një sasi shiu e barabartë me sasinë e 4 muajve në Londër. Nuk ka infrastrukturë sado ekselente që të absorbojë goditjen e parë. Ajo që nuk mund ta neglizhojmë është dobësia që shfaqet në reagimin tonë, në nivelin vendor qoftë për zjarret, qoftë për përmbytjet. Duke e marrë te përmbytjet është e domosdoshëm të ketë një fokus të veçantë tek organizimi i strukturës, trajnimi, aftësitë, stërvitja e strukturës që të jetë aty në momentin e parë të reagimit”, deklaroi Rama.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb