Geoffrey Hinton, i njohur si babai i inteligjencës artificiale, dhe fizikani John Hopfield kanë fituar Çmimin Nobel në Fizikë, për punën e tyre në vendosjen e themeleve të inteligjencës artificiale. Hulumtimet e tyre në vitet ’80 shtruan rrugën për teknologjinë që mund të bëjë revolucion në shoqëri.

“Në situatë të njëjtë, do ta bëja sërish të njëjtën gjë, mirëpo shqetësohem se pasoja e përgjithshme është që sistemet mund të jenë më inteligjente sesa ne, dhe që mund të marrin kontrollin”, ka thënë britaniko-kanadezi, Hinton, 76-vjeçar, në një bashkëbisedim me gazetarët, pasi i është ndarë çmimi.

Hinton i çuditi të gjithë në vitin 2023 kur dha dorëheqje nga gjiganti Google, duke paralajmëruar për “rreziqet e mëdha për shoqërinë dhe njerëzimin”, që vijnë nga teknologjia.

Ellen Moons, udhëheqëse e Komitetit të Nobelit për Fizikë, ka thënë në një konferencë për mediat se “pajisjet teknologjike janë bërë pjesë e jetës sonë, përfshirë identifikimin e fytyrës së njeriut dhe mundësinë e përkthimit të gjuhëve”.

Ndonëse e ka duartrokitur potencialin e inteligjencës artificiale, Moons ka thënë se “zhvillimi i saj i shpejtë ka rritur shqetësimet edhe për të ardhmen tonë kolektive”.

“Njerëzit kanë përgjegjësi për përdorimin e kësaj teknologjie të re në mënyrë të sigurt dhe etike”, ka thënë ajo.

Hopfield, 91-vjeçar, profesor amerikan në Universitetin Princeton, është përmendur si personi që ka krijuar “rrjetin Hopfied”, i njohur si memorie kompjuterike, që mund të përdoret për të “ruajtur edhe rikrijuar imazhe dhe gjëra tjera” përmes të dhënave që ka në dispozicion.

Revolucioni i rrjeteve nervore artificiale
“Të kuptuarit e kompjuterëve ka qenë prej kohësh i rëndësishëm për shkencën, sepse na lejon të analizojmë sasi të mëdha të dhënash. Hopfield dhe Hinton përdorën mjetet e fizikës për të hedhur themelet për zhvillimin aktual të të kuptuarit automatik. Aftësia e kompjuterëve për të kuptuar në mënyrë autonome, bazuar në rrjetet nervore artificiale, po revolucionarizon sot shkencën, inxhinierinë dhe jetën e përditshme”, ishte motivimi për çmimin.

Hopfield është një shkencëtar amerikan që jep mësim në Universitetin Princeton. Hinton, një profesor kanadez në Universitetin e Torontos, i kontaktuar me telefon, parashikon se inteligjenca artificiale “do të ketë pasoja për njerëzimin të krahasueshme me revolucionin industrial. Do të ketë pasoja jashtëzakonisht pozitive, do të kemi mjekësi më të mirë dhe do të mund të punojmë me një asistent artificial që do të na bëjë më produktivë. Megjithatë, mund të ketë edhe pasoja negative nëse makinat arrijnë t’i shpëtojnë kontrollit tonë.”

Në mars të vitit të kaluar Hinton u largua nga Google, ku kishte punuar për dhjetë vjet, sepse nuk ndihej i lirë të fliste për rreziqet e inteligjencës artificiale. “Unë u largova që të mund të flas për rreziqet e tij,” shpjegoi ai “Tani për tani, makinat nuk janë më të zgjuara se ne, me sa di unë.”

“John Hopfield, shpjegoi Akademia Mbretërore e Shkencave ka krijuar një memorie shoqëruese që mund të ruajë dhe rindërtojë imazhe dhe elementë të tjerë të përsëritur në të dhëna. Geoffrey Hinton shpiku një metodë që mund të identifikojë në mënyrë autonome vetitë brenda të dhënave, për të kryer detyra të tilla si identifikimi i elementeve specifike brenda imazheve.”

Si zgjidhen fituesit
Vitin e kaluar çmimi ishte tërësisht evropian: Pierre Agostini (francez), Ferenc Krausz (austro-hungarez) dhe Anne L’Huillier (franko-suedeze) e fituan atë. Ata gjeneruan impulse drite të matshme në inattosekonda, më të shkurtërat e krijuara ndonjëherë nga njeriu, për të vizualizuar atë që ndodh brenda atomeve dhe molekulave.

Fituesit e çmimit Nobel në Fizikë zgjidhen nga Akademia Mbretërore Suedeze e Shkencave, e cila është e vendosur në Stokholm. Përzgjedhja nis nga një listë e kandidatëve të hartuar gjatë vitit në bazë të sugjerimeve të dhjetëra ekspertëve të disiplinës (emrat e tyre nuk bëhen të ditur) dhe fituesve të edicioneve të mëparshme.

Menjëherë pas shpalljes së emrave, sekretari i akademisë merr në telefon laureatët duke i zënë shpesh në gjumë, në klasë apo duke punuar në laborator.

Nobelët e tjerë
Çmimi i Mjekësisë iu dha të hënën biologëve amerikanë Victor Ambros dhe Gary Ruvkun për zbulimin e mikroARN-ve, molekula të afta për të ndezur dhe fikur gjenet e duhura në qelizat e duhura. Të mërkurën radha është e Kimisë, të enjten është programuar Letërsia dhe të premten Paqja. Për ekonominë do të duhet të presim deri të hënën e ardhshme. Çmimi kap vlerën e 11 milionë korona suedeze, 967 mijë euro, të cilat duhet të ndahen mes fituesve.

Çmimet janë dhënë që nga viti 1901 për shkencëtarët që “kanë kontribuar në mirëqenien e njerëzimit”, sipas dëshirës së shpikësit suedez Alfred Nobel, babai i dinamitit, që donte të kujtohej jo vetëm për faktin se i kishte lënë trashëgim botës jo vetëm eksplozivin e fuqishëm. Pas shpalljes, fituesit do të ftohen në një ceremoni çmimesh në Stokholm, së bashku me mbretërin suedez. Darka gala është planifikuar për më 10 dhjetor, në përvjetorin e vdekjes së Alfred Nobelit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: