Është kohë dridhmash dhe kontrastesh në radhët e qeverisë laburistë të Britanisë së Madhe, ende pa u bërë 100 ditët e para në pushtet.
Kështu shkruajnë unanimisht mediat në Mbretërinë e Bashkuar, një ditë pas dorëheqjes së shefes së personelit të kryeministrit Keir Starmer, Sju Grej.
Bëhet fjalë për një nga figurat më të rëndësishme të aparatit të Dauning Strit, lëvizja e të cilës vjen pas shpërthimit të polemikave mbi skandalin e dhuratave të marra nga kreu i qeverisë, bashkëshortja dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Ekzistojnë gjithashtu dyshime për nepotizëm dhe lakmi mbi vetë Grej, e cila doli garant për aksesin në qeveri të donatorit më bujar të Starmer, biznesmeni Uahid Ali.
Zyrtarisht Grej, e cila është vendosur në faqet e para të tabloideve për deklaratat mbi kompensimin e artë, e dha dorëheqjen vullnetarisht për të mos shkaktuar shpërqendrim të ekzekutivit.
Por për mediat britanike, në të vërtetë largimi i saj ka ardhur në një klimë përplasjesh të brendshme mes këshilltarëve dhe funksionarëve të tjerë të laburistëve.
Sipas BBC, në të vërtetë dorëheqja e Grej është më tepër një degradim i pozicionit të saj nga qendra e makinës së pushtetit në një detyrë deri më sot inekzistente, ajo e përfaqësueses së qeverisë për marrëdhëniet me kombet dhe rajonet e Mbretërisë.
Thashethemet nuk kanë kursyer as familjen e saj, duke nisur me ngritjen nga hiçi të djalit të saj në pozicionin e një deputeti laburist.