Ministri i Mbrojtjes i Koresë së Jugut, Kim Yong-hyun, pohoi se Koreja e Veriut mund të dërgojë trupa në Ukrainë në mbështetje të Rusisë, transmeton Anadolu.

Në një takim me deputetët, ministri Kim Yong-hyun tha se Pheniani synon të forcojë lidhjet e tij me Moskën, njoftoi Yonhap News me seli në Seul.

“Meqenëse Rusia dhe Koreja e Veriut kanë nënshkruar një traktat të ndërsjellë të ngjashëm me një aleancë ushtarake, një dislokim i tillë është shumë i mundshëm”, tha ministri Kim.

Që nga viti 2022, Rusia, duke u përballur me sanksione të shumta perëndimore, ka forcuar marrëdhëniet e saj me vendet aziatike, veçanërisht Korenë e Veriut.

Së fundmi, Moska dhe Pheniani nënshkruan një marrëveshje gjithëpërfshirëse të partneritetit strategjik në qershor gjatë vizitës së parë të presidentit rus Vladimir Putin në Korenë e Veriut në 24 vjet.

Vitin e kaluar, lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-un, bëri një vizitë të rrallë zyrtare në Rusi për një samit me Putinin, ndërsa muajin e kaluar, ministrja e Jashtme e Koresë së Veriut, Choe Son-hui, vizitoi Rusinë, ku mori pjesë në ngjarje të shumta ndërkombëtare.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: