Sikur të mos mjaftonin mungesat që Egnatia ka pasur javët e fundit për dëmtime dhe kartonë, për ndeshjen e radhës me Teutën ato do të jenë më të shumta dhe më të rëndësishme. Trajneri Edlir Tetova është vërtet në siklet, sepse ka humbur shërbimet e kapitenit Renato Malota dhe mesfushorit Albano Aleksi.
Janë dy nga titullarët më me peshë të skuadrës kampione në fuqi, të cilët janë skualifikuar për javën e 9-të të kampionatit, pas kartonëve të marrë në Korçë. Malota u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje si lojtar i fundit, kurse Aleksi plotësoi numrin 4 të kartonëve të verdhë. Të dy lojtarët do ta ndjekin takimin e radhës nga tribuna e stadiumit të Rrogozhinës. Ishte një fitore me kosto për rrogozhinasit ajo ndaj Skënderbeut, por shumë e rëndësishme për momentin që ata po kalonin.
PRAPAVIJA – Mungesa e Malotës dhe Aleksit krijon një gropë të madhe në prapavijën e Egnatias. Po të kemi parasysh këtu edhe dëmtimin e Arbenit Xhemajlit, situata komplikohet jo pak, sepse dy qendërmbrojtësit e vetëm në dispozicion të trajnerit Tetova janë Dylis dhe Alijev. Mbetet të shihet se çfarë strategjie do të zgjedhë ai për ndeshjen që ka dy javë kohë ta përgatisë: do të kalojë në rreshtimin me 4 mbrojtës, apo do të improvizojë me një lojtar për të plotësuar 3-shen që ai parapëlqen për këtë repart.
E sigurt është se në stol nuk do të ketë alternativa për të bërë ndërhyrje në varësi të situatave të ndeshjes. Nga lojtarët e tjerë që mund ta bëjnë rolin e mbrojtësit të qendrës është mesfushori Aleksi, por edhe ai nuk është i gatshëm kundër Teutës. Në ndeshjet e fundit nuk është aktivizuar për shkak dëmtimi edhe mbrojtësi i djathtë, Abdurrahman Fangaj, por ndërprerja e kampionatit e ndihmon shkodranin që të rikuperohet në kohë.
TË TJERËT – Rikthehet për sfidën me Teutën mesfushori Alesandro Ahmetaj, i cili pritet të marrë vendin e Aleksit në mesfushë. Ai e ka shlyer skualifikimin nga kartonët në ndeshjen që kaloi me Skënderbeun Kjo periudhë dyjavore pritet që ta ndihmojë stafin teknik të Egnatias për të pasur më në fund në fushë sulmuesin Bakajoko, një nga blerjet e rëndësishme të verës, por që ka mbetur jashtë për dëmtim deri tani. Ai ka qenë i grumbulluar me skuadrën javët e fundit, por nuk ka zbritur në fushë asnjë minutë. Ndoshta stafi teknik nuk ka dashur të rrezikojë, duke ditur dëmtimin që sulmuesi nga Bregu i Fildishtë ka kaluar.