Rusia po përpiqet të krijojë “kaos” në rrugët e Mbretërisë së Bashkuar, ka paralajmëruar kreu i MI5 – ndërsa zbuloi se një numër në rritje i fëmijëve po hetohen për terrorizëm.
Në një fjalim të gjerë, drejtori i përgjithshëm i organizatës, Ken McCallum, tha se Mbretëria e Bashkuar po përballet me një kërcënim në rritje nga “njerëzit e Putinit” dhe “komplot pas komploti” nga Irani.
Bëhet e ditur se kërcënimet ruse dhe iraniane vijnë pas rishfaqjes së terrorizmit islamik gjithashtu, me McCallum duke thënë se “prirja që e shqetëson më shumë është kërcënimi nga Al-Qaeda dhe në veçanti nga Shteti Islamik”.
“Pas disa vitesh, ata kanë rifilluar përpjekjet për terrorizëm”, tha shefi i MI5.
Siç raportohet, gjatë muajit të fundit, më shumë se një e treta e hetimeve prioritare të MI5 kanë pasur lidhje me grupe të organizuara terroriste jashtë shtetit, shkruan skynews.
McCallum zbuloi se, në përgjithësi, MI5 dhe policia kanë ndërprerë 43 komplote terroriste në “fazë të vonë” që nga marsi i vitit 2017 – ku përfshihen tentime për vrasje masive përmes armëve të zjarrit dhe eksplozivëve.
Në fjalimin e tij të parë të këtij lloji në dy vjet, McCallum pikturoi një pamje të një kërcënimi të shumëanshëm me të cilin përballet Mbretëria e Bashkuar, me organizatat terroriste të ringjallura si Al-Qaeda dhe ISIS.
Ndryshe, më shumë se 750 diplomatë rusë, shumë prej tyre spiunë, janë dëbuar nga Evropa që kur Rusia nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.