I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Alexander “Sasha” Kasanof, do të vizitojë këtë javë Kosovën, ka thënë një zëdhënëse e Ambasadës amerikane në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.
Në përgjigje është thënë se Kasanof do të zhvillojë konsultime të rregullta me zyrtarë të Qeverisë, liderë të opozitës, shoqërinë civile dhe bizneset.
Kjo do të jetë vizita e tij e parë në Kosovë, ndonëse ai është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, në margjina të samiteve të mbajtura në Pragë dhe Nju Jork.
Paraprakisht, këtë rol e ka pasur Gabriel Escobar, mandati i të cilit ka përfunduar në maj.
Kasanof, që nga 19 korriku, është edhe zëvendës i ndihmësit të sekretarit për Media dhe Diplomaci Publike në Byronë për Çështje Evropiane dhe Euroazi të Departamentit amerikan të Shtetit.
Sipas biografisë së publikuar në ueb-faqen e Departamentit amerikan të Shtetit, ai ka shërbyer si asistent ekzekutiv nën ish-nënsekretaren për Çështje Politike, Victoria Nuland, dhe gjatë mandatit të ushtruesit të detyrës së nënsekretarit për Çështje Politike, John Bass.
Kasanof ka shërbyer në Irlandë, Turkmenistan, Kili dhe Ukrainë.